
I akuzuari për atë që njihet si masakra e Urës Vajgurore ku u vranë 4 policë, Fran Marashi, këmbëngul se ai nuk ka gisht në atë ngjarje të tmerrshme. Por duket se nuk ka shpëtim për të sepse edhe Apeli vendosi që të lërë në fuqi burgimin e përjetshëm ndaj tij.
Apeli i Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Fran Marashit, i akuzuar për masakrën e Kuçovës në vitin 1997. Bëhet fjalë për masakrën e Kuçovës ku u vranë 4 policë dhe u plagosën 6 të tjerë.
GJKKO e shqyrtoi çështjen pas vendimit të Gjykatë së Lartë për ta rikthyer dosjen në shkallën e parë.
Të dënuar të tjerë më herët për këtë masakër janë edhe Musa Protoduari me burgim të përjetshëm, Shkëlqim Protoduari me burgim të përjetshëm, Fatbardha Protoduari me 25 vjet burg, Sokol Ndreu, Gjovalin Ndreu, Preng Miri dhe Gjelosh Miri.
Fran Marashi kërkoi pafajësinë në Apelin e GJKKO dhe në përballje me familjarët e viktimave tha se nuk kishte gisht në ngjarje.
Çfarë ndodhi në 1997?
Pas një mitingu të Partisë Socialiste, forcat e policisë ktheheshin në Berat me mjetet e tyre, kur u qëlluan me armë rreth 200 metra larg vilës së Protoduarëve.
Autoblindi policor uli kapakët dhe u nis në drejtim të sheshit në qendër të qytetit, por pa bërë më shumë disa dhjetëra metra rrugë, u godit nga një predhë antitank nga vila e Protoduarëve.
Dëshmitari okular Lulzim N. tha se në këtë moment mbi autoblindën e policisë janë hedhur shishe me lëndë djegëse si dhe është parë Lek Lorja e Fran Marashi që kanë hipur në tank.
Pas kësaj u dëgjuan dy goditje të fuqishme dhe blindi mori zjarr, ku si pasojë gjetën vdekjen duke u djegur brenda në blind policët Miltiadh Koçi, Arjan Shemuni, Asllan Selami dhe Ilia Bano. Në vendngjarje mbetën të plagosur dy policë Thimi Tanku dhe Ylli Dhamo.
Nga të shtënat u vra edhe një qytetar, Ilir Bani, i cili ndodhej në atë moment si kalimtar i rastësishëm.
Për këtë ngjarje prokuroria mbrojti tezën se autorë e krimit ishin anëtarët e bandës së drejtuar nga familja Protoduari.




