![renea kontrolle masakra dobrac 2024](https://www.shkodraweb.com/wp-content/uploads/2024/12/renea-kontrolle-masakra-dobrac-2024-1024x537.jpg?x67299)
Prokuroria e Posaçme po kryen kontrolle në bazat e fisit të Bajrave në Shkodër, kontrolle të cilat vijnë në kuadër të çështjes “Dobraçi” ku humbën jetën katër persona pas atentatit të kryer ndaj Hamza Licit.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se në banesën e Safet Bajrit, RENEA ka gjetur rreth 20 mijë euro para cash. Nuk rezulton të jenë gjetur sende të tjera. Mbetet e paqartë ende sa i takon sendeve të kundraligjshme nëse janë gjetur apo jo gjatë këtij operacioni bastisje.
Ndërkohë, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, mëson se me urdhër të prokurores Elida Kackini, kontrollet janë kryer në disa banesa të eksponentëve të krimit të organizuar që veprojnë në këtë qytet.
Po ashtu mësohet se kontroll është ushtruar edhe në banesën e Izmir Sakicës, i cili është shpallur në kërkim pas atentatit të Dobraçit, ku mbetën të vrarë katër persona, dy të pafajshëm dhe shënjestrat Hamza Lici dhe Arlind Bushati. Atentati në fjalë ende mbetet i pazbardhur, ndërsa i ka kaluar për hetim SPAK. Sipas informacioneve paraprake, kontrolle janë ushtruar edhe në banesa të fisit Bajraj dhe Bilali.