Një lajm i mirë vjen për të gjithë emigrantët shqiptarë në Greqi. Gjatë ditës së sotme është firmosur marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë për njohjen e patentave shqiptare edhe në shtetin fqinj. Marrëveshja është firmosur nga ministri i Jashtëm Bushati dhe homologu i tij Kotzias.
Marrëveshja parashikon që qytetarët shqiptarë të cilët kanë leje drejtimi shqiptare nuk do të kenë nevojë të rifillojnë procedurat e kualifikimit dhe të provës, për marrjen e lejes së drejtimit greke, e cila ka edhe një impakt financiar nga 700 deri në 1000 Euro, për çdo leje drejtimi të marrë në Greqi. Qytetarët do të dorëzojnë lejen e drejtimit të marrë në Shqipëri, dhe do të marrin atë greke duke u krijuar mundësi, të qarkullojnë ose të punësohen si drejtues mjeti në Greqi, me të drejta të barabarta me shtetasit grekë.
Njohja e ndërsjellë e lejeve të drejtimit është një rezultat i prekshëm i paketës së çështjeve dypalëshe të diskutuar në Kretë dhe Korçë nga dy Ministrat e Jashtëm dhe një punë të gjatë negociuese mes ministrive të transportit të dy vendeve tona.
Pas nënshkrimit, kjo marrëveshje do ti nënshtrohet procedurave respektive për hyrjen në fuqi.