Renato Malota mendon se Vllaznia nuk do ta diskutojë ngjitjen, megjithatë thekson se vend për qetësi nuk ka. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i bën “skanerin” ecurisë së deritanishme dhe sqaron se Veleçiku nuk po bën llogaritë e tyre.
Pas debateve dhe polemikave që pushtuan Shkodrën në ditët e fundit, lezhjani evidenton se atmosfera nuk ka ndryshuar dhe është më shumë se normale. Gjithsesi, shfaq habinë e tij që gjithnjë hidhet baltë ndaj disa lojtarëve sapo ekipi gabon. Ai rikujton se të paktën 5 lojtarë sakrifikuan, duke iu qëndruar kuqebluve në krahë në ditë të vështirë dhe për këtë fakt mendon se meritojnë më shumë mbështetje.
Vllaznia shkon +7 në renditje, kjo shkëputje a ju jep komoditet?
Nuk i bëmë një nisje fort të mirë 2019-ës, pasi humbëm përballë Erzenit. Megjithatë, futbolli i njeh edhe këto surpriza të pakëndshme. E rëndësishme është që ne të japim maksimumin dhe të marrim rezultate nga çdo ndeshje që ka mbetur deri në fund të këtij rrugëtimi. A jemi më të qetë? Më të qetë do të jemi vetëm në momentin kur ta kemi siguruar matematikisht edhe ngjitjen në Kategorinë Superiore.
Veç fitores suaj, morët edhe një “asist” prej Veleçikut që ndali Erzenin. Mund të themi se koplikasit janë “satelit” i Vllaznisë?
Faktikisht, ne shohim vetëm punën tonë dhe me kapacitetet që kemi në organikë nuk mendoj se do të diskutojmë ndonjë kundërshtar. Me këtë dua të them që nuk kemi pse të presim ndere prej të tjerëve. Në fund të fundit, ky kampionat është i atillë që çdo ekip luan vetëm për llogaritë e veta.
Kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i fazës së dytë dhe përballë do të keni Vorën dhe Ilirinë, çfarë prisni?
Normalisht që duam të marrim maksimumin nga 180 minutat e fundit të fazës së dytë, në mënyrë që të krijojmë një shkëputje nga vendi i dytë. Duhet që pas fazës së dytë do të përgjysmohen pikët dhe gjithçka mund të bëhet akoma me e vështirë për ne.
A i druheni rregullit të përgjysmimit të pikëve?
Ky rregulli i përgjysmimit të pikëve mua më duket disi i çuditshëm, të them të drejtën. Por nuk i druhemi aspak. E thashë edhe pak më lart: kemi një ekip me lojtarë që kanë shumë cilësi brenda dhe nuk do ta vendosin në dyshim për asnjë moment rikthimin në elitë.
Shumë debate në Shkodër pas humbjes me Erzenin. A e ka turbulluar atmosferën kjo situatë e krijuar dhe sa të qetë ndiheni ju lojtarët?
Gjithandej ka polemika, por për mendimin tim atmosfera është më shumë se normale. Vetëm se një gjë nuk më pëlqen këtu në Shkodër. Në momentin e parë që ekipi hedh një hap fals, direkt flitet keq apo hidhet baltë mbi lojtarët. Duhet ta dinë se 4 ose 5 futbollistë kanë zgjedhur të sakrifikojnë për këtë ekip, duke luajtur në momentet më të vështira. Kurrë nuk e braktisën Vllazninë përtej situatave. Në kësi kushtesh, e vetmja gjë që ne kërkojmë është më shumë mbështetje. Asgjë më tepër.