Shkarkimi i trajnerëve në Shqipëri, nuk përbën më një lajm të bujshëm duke qenë se janë bërë të shpeshta dhe diçka që ndodh vazhdimisht. Rezultatet e dobëta që Kamza ka arritur këtë sezon, ka bërë që drejtuesit e klubit, të shkarkojnë Klodian Duron pas disa javësh aventurë.
Lajmi u bë i ditur nga vetë faqja zyrtare e Kamzës në rrjetin social “Facebook”, ku bëhet me dije se rrugët me teknikun Duro ndahen këtu për shkak të rezultateve. Duro është trajneri i dytë që shkarkohet nga detyra këtë sezon në Kamzë, pasi Bledar Devolli u largua që në javët e para.
“Klubi bën të ditur mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Klodian Duro. Duke e falënderuar trajnerin për kontributin e tij të palodhur, përkushtimin dhe gjithçka dha për skuadrën tonë, bëjmë të ditur se rrugët tona ndahen këtu.
Mungesat e rezultateve na detyrojnë të bëjmë një zgjidhje tjetër në këtë moment. Trajnerit Klodian Duro, i urojmë suksese në karrierën e tij në vazhdimësi dhe e konsiderojmë gjithnjë pjesë të familjes sonë”, shkruhej në njoftimin e klubit. /Burimi:VipSport/