Nga Izmira ULQINAKU
Pasi vendosi në Tiranë me vizionarët e tjerë të Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave, se banorët e Dajçit dhe Anës së Malit, nuk janë në gjendje emergjence edhe pse prej 20 ditësh kanë tokat nën ujë, edhe pse prej pesë ditësh uji i ka hyrë në shtëpi, edhe pse dhjetra familje po evakuohen, edhe pse është në rrezik gjëja e gjallë, edhe pse ata që janë të izoluar nga uji kanë filluar të kenë problem ushqimet dhe ujin e pijshëm, znj.Mesi na dha edhe këshillën e madhe: të mos tregohemi emotivë!
Ndërkohë që strategu i bujqësisë, ministri Peleshi na qetësoi kur u shpreh se “s’ka nevojë për të spekuluar me shpalljen ose jo të gjendjes së emergjencës se qeveria është vigjilente”.
Madje në këtë mirësi të madhe të kësaj dite përmbytjesh na vjen edhe lugati i ujit, KESH-i, që po na përmbyt, por ama sot u kujtua të na thotë me gojën e zv.kryeministres se do të na ndihmojë me 8milionë lek (o Zot, vetëm për të dëmshpërblyer një familje nuk mjaftojnë!).
Në frikën e asaj çfarë po ndodh dhe çfarë mund të ndodhë, sepse argjinaturat janë të rrezikuara,shkarkimet nga kaskada s’kanë të ndalur dhe s’dihet si mund të na vejë halli, të paktën kemi zv.kryeministren Mesi & co. që na qetësojnë.
