Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka mbrojtur vendimin e kryetarit Lulzim Basha për të larguar nga grupi parlamentar Sali Berishën. Gjatë një interviste në emisionin “Opinion”, Gjekmarkaj tha se PD rrezikonte të kthehej në një organizatë të padëshirueshme për SHBA.
“Gjykimin e ndërtoj mbi ato që di dhe më çojnë në përfundimin që Lulzim Basha nuk kishte rrugë tjetër. Basha nuk mund të shndërrohej në një Haxhi Qamil i cili do thoshte kam Shijakun dhe Kavajën kundër Amerikës.
PD rrezikonte të kthehej në një organizatë, rrezikonte të kthehej e padëshirueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-të e kanë vënë PD nën ultimatum nga zoti Reeker dhe nga zonja Kim, ka qenë nën presion dhe nën ultimatum.
“Unë e kam quajtur të padrejtë vendimin e Blinken për Berishën, por pragmatizim politik, rritja e presionit mbi PD dhe Bashën…Basha do ta bënë këtë ose do ta linte PD në rrjedhje të lirë”, tha Gjekmarkaj.
Ky argument është kundërshtuar nga Zana Guxholli, e cila tha se Basha duhej të mblidhte forumet dhe ta votonte në Këshilli Kombëtar këtë vendim.