Lulzim Basha paralajmëron përshkallëzim: Paqja sociale dhe stabiliteti varen nga…

Loading...

Faktet për inkriminimin e Taulant Ballës dhe Ardi Veliut për të krijuar një dëshmitar të rremë për të mbrojtur trafikantin e drogës Agron Xhafaj janë të pakundërshtueshme.

Fatkeqësisht deri tani nuk ka filluar ende asnjë hetim për Taulant Ballën.

Nuk ka filluar asnjë hetim për Ardi Veliun.

Nuk ka filluar asnjë hetim për drejtorin e policisë së Fierit.

Manipulimi i hetimeve dhe mos-hetimi i krimeve nga prokuroria, janë krime të rënda për të cilët dyshja Marku-Prela dhe shërbëtorët e saj në prokurori do të mbajnë përgjegjësi.

Shërbimi i verbër ndaj Edi Ramës është shërbim ndaj krimit dhe për këtë do mbajë përgjegjësi cdo polici, çdo prokuror, çdo punonjës i shtetit.
Ata që mendojnë se mund të bëjnë krime se do t’i mbrojë Edi Rama e kanë gabim. Pushteti i Edi Ramës ka marrë fund – rrëzimin e Edi Ramës nuk e ndal asgjë.

Përpjekjet e tij të dëshpëruara për të kërcënuar, për të shantazhuar, apo për të shpërqëndruar opinionin publik janë përpjekje mjerane dhe shprehje e panikut që e ka kapur. Me të drejtë. Ato që nuk nuk do ta shpëtojnë as atë dhe as bashkëpunëtorët e tij në manipulimin e drejtësisë për të mbrojtur krimin.

Ju bëj thirrje prokurorëve të ndershëm që t’i rezistojnë urdhërave të paligjshëm dhe arbitrarë të Arta Markut dhe Donika Prelës që janë vënë në shërbim të Edi Ramës dhe krimit.

Besnikëria juaj duhet të jetë ndaj Kushtetutës, ligjit, ndaj drejtësisë, ndaj popullit, jo ndaj politikanëve të inkriminuar dhe drejtuesve tuaj shërbëtorë të krimit.
Ju bëj thirrje burrave dhe grave me kurajo në prokurori, që në zbatim të ligjit dhe në kundërshtim të urdhrave kriminalë e të paligjshëm, të nxjerrin menjëherë fletarrestet për Ardi Veliun dhe Drejtorin e Policisë së Fierit, të nisin menjëherë procedurën e heqjes së imunitetit dhe marrjes së pandehur të Taulant Ballës, dhe të nisin hetimin për pengim të drejtësisë ndaj Edi Ramës, Fatmir Xhafës dhe Donika Prelës.

Provat janë të qarta dhe ulëritëse, dhe nga vetë fashikujt zyrtarë të përgjimit të prokurorisë del zbuluar se si kupola e policisë dhe e prokurorisë, me përfshirjen e Taulant Ballës dhe nën mbrojtjen e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës ka gjetur, manipuluar dhe paguar një dëshmitar të rremë për të shpëtuar narkotrafikantin Agron Geron Xhafaj, vëllain e ministrit të brendshëm.

Veproni sa nuk është vonë. Veproni jo vetëm sepse kështu jua kërkon ligji dhe Kushtetuta, por vetëdijësohuni se nga veprimi dhe mosveprimi juaj sot varet jo thjesht dhe vetëm zbatimi i ligjit, por stabiliteti i vendit dhe paqja sociale.

Ju bëj thirrje policëve të ndershëm që të mos rreshtohen përpara kryeministrit, me kokën e ulur duke gëlltitur se si ai shan, fyen, kërcënon ata mes jush që denoncojnë krimin në qeveri. Mos pranoni që të trajtoheni si shërbëtorë të kryeministrit, mos lejoni që të trajtoheni shërbëtorë të krimit. Bashkojuni koleegëve tuaj kurajozë që përballen njësoj me krimin dhe kriminelët me kostum që ju drejtojnë.

Ju bëj thirrje gazetarëve dhe punonjësve të mediave që të bashkohen në përpjekjen për denoncimin e krimit. Lufta kundër krimit është një kauzë jetike dhe si e tillë duhet të jetë kauzë e mediave të cilat kanë mision për t’i shërbyer popullit duke i treguar të vërtetën.

Ju bëj thirrje edhe socialistëve të ndershëm që të distancohen nga regjimi kriminal i Edi Ramës. Jo vetëm si qytetarë, por edhe si socialistë ata nuk duhet ta lejojnë partinë e tyre të kthehet në një organizatë kriminale të marrë peng nga njerëz pa asnjë moral dhe pa asnjë ideal shoqëror dhe njerëzor, një organizatë kriminale e cila sot ka marrë peng shtetin dhe drejtësinë.

Duhet të distancoheni sot për të shpëtuar partinë tuaj, para se kjo parti të shkatërrohet nën sundimin e krimit.

Partia Demorkatike dhe opozita nuk do tërhiqen asnjë çast dhe para asnjë gjëje nga beteja jonë jetike për çlirimin e politikës, ekonomisë dhe shoqërisë tonë nga krimi. Beteja e nisur do shkojë deri në fund.

E di që shumë njerëz duan zgjidhje të menjëhershme, por dua t’i siguroj sot se fitorja ndaj krimit dhe pushtetit mafioz të Edi Ramës është e pashmangshme dhe e afërt. /Deklaratë e kryetarit të PD-së Lulzim BASHA/

Loading...