Kryedemokrati Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit deklaroi se lufta ndaj krimit është emergjencë, por që kjo të ndodhë duhet që politika të çlirohet nga krimi.
Ai kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Rama, që vendi të çlirohet nga krimi e kriminelët. Basha nuk nguroi të përmendë edhe emrat e njerëzve me pushtet, të cilët i quajti peshkaqenët e mëdhenj që i mbron kryeministri.
“Qazim Sejdini, Vangjush Dako, Elvis Rroshi janë ata që gjysmën e ditës e kalojnë me bankierë dhe gjysmën tjetër me kriminelë. Askush nuk i sheh. Skafistit me patentë Saimir Tahiri e ka vendin në burg, Sejdinin dhe dyshen Dako- Çela askush nuk e sheh. Synimi është që të mbrohen, këta janë të paprekshmit, peshkaqenët, se ndryshe shkon steka lart tek shefi i madh në Tiranë”,- tha Basha.
Ndonëse nuk bëri thirrje të drejtpërdrejte për protesta, Basha tha se sot lind nevoja që shoqëria të reagojë e të bëhet bashkë.
“E vërteta tjetër e madhe është se e vetmja arsye pse Saimir Tahiri është i lirë dhe Edi Rama është ende në pushtet është se ne si shoqëri nuk kemi reaguar. Kur ne të bëhemi të gjithë bashkë, mijëra shqiptarë të bashkuar përballë Edi Ramës, përtej ngjyrimeve politike, përtej paragjykimeve, atë çast pushteti i Edi Ramës merr fund. Dhe bashkë me të edhe pushteti i krimit. Kjo ditë do të vijë. Shpejt”,- tha kryedemokrati.