Nxënësit të cilët aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve Bachelor në fushën e artit dhe sportit në Fakultetin e Shkencave të Edukimit të universtitetit “Luigj Gurakuqi” nuk kanë detyrim të plotësojnë kriterin e notës mesatare duke filluar nga ky vit akademik. Këtë fakt e ka bërë të ditur rektori i universitetit të Shkodrës Adem Bekteshi i cili u shpeh se aplikimet për raundin e tretë do të kryhen online në datat 12-14 tetor.
Gjithashtu, nuk do të ketë kriter të notës mesatare as për aplikuesit të cilët vijnë nga trevat shqiptare si Mali i Zi, Kosova, Maqedonia.
Ndërkohë, për të gjithë kandidatët e tjerë të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm, nota mesatare për pranimin në programet e studimit Bachelor në universitetin e Shkodrës vazhdon të mbetet 6.5 me përjashtim te degës së mësuesisë që është 7.5 për të gjithë aplikuesit. Deri më tani, kërkesa për regjistrim në të gjitha degët është 58.8%, një shifër kjo shumë më e ulët krahasuar me vitin e kaluar.