Shënim i ShkodraWeb
Nga Krishtlindjet e kaluara, situata brenda PS Shkodër ka ardhur duke “u ftohur”, sidomos në mes dy antarëve të kabinetit Rama: Senida Mesi dhe Ditmir Bushati. Pavarësisht se në Kuvend kanë futur në mes Edi Ramën, Mesi dhe Bushati nuk kanë asnjë komunikim.
Ndërsa “lufta e ftohtë” në mes të dyve pranohet haptas brenda PS-së, ka patur edhe një shenjë, të cilën mbase jo të gjithe e kanë vënë re. Me ngjitjen e Mesit si numri 2 i qeverisë, në krah të saj u shfaq Glevin Dervishi. Bëhet fjalë për një nga njerëzit më të afërt të Ditmir Bushatit si ministër i jashtëm në mandatin e parë. U tha do të kalonte si këshilltar i zëvendëskryeministres Mesi, si një ndihmë për deputeten e Shkodrës meqenëse Dervishi njihej me të që gjatë fushatës elektorale të 2017. E kështu, Dervishi shfaqej në krah të Mesit në të gjitha takimet duke nisur nga shtatori i kaluar.
Siç keni patur mundësi ta shihni, tashmë Glevi Dervishi nuk shfaqet më në krah të Mesit. Ai është rikthyer në krah të Ditmir Bushatit. Nuk është e qartë nëse ishte Mesi që e largoi ish- këshilltarin e Bushtait pas ftohjes së marrëdhënieve mes tyre apo ishte ministri i jashtëm ai që e riktheu pranë vetes. Dervishi ka qënë mjaft aktiv edhe gjatë negociatave për detin me Greqinë, kuptohet në krah të ministrit Bushati.

Tani për tani, “lufta e ftohtë” është brenda PS-së Shkodër. Në krah të Bushatit është edhe deputeti tjetër Harusha, ndërsa Mesi duket se është e izoluar. Pravat e këtij izolimi vijojnë që nga Krishtlindjen e kaluara, ku Mesi dhe Bushati rregullisht kanë shmangur praninë në krah të njëri- tjetrit. Kjo jo vetëm në publik, por edhe në mbledhjet e strukturave socialiste në Shkodër. Thuasje çdo fundjavë, zhvillohen takime nëselinë rozë të Shkodrës dhe rigorozisht Mesi nuk është e pranishme.
Burime brenda PS-së Shkodër bëjnë me dije se zanafilla e ftohjes lidhet me postet drejtuese në Shkodër. Mesi, nisur edhe nga pozicioni si numri 2i i qeverisë, ka dashur pjesën më të madhe të “tortës” për mbështetësit e saj. Nga ana tjetër, ka ndeshur në kundërshtinë e Bushatit, Harushës por edhe drejtuesve vendorë të PS-së. Në cilësinë e drejtuesit politik të qarkut Shkodër, Bushati nuk ka toleruar aspak, duke u mbështetur në lidhjet tanimë të konsoliduara me lidershipin socialist të Shkodrës.
Deri në këto momente, nuk flitet për shtensionim të marrëdhënieve Mesi- Bushati dhe pritet çfarë qëndrimi dë të mbajë kryeministri Rama për dy vartësit e tij në qeveri. Mesi nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të kandiduar për bashkinë vitin që vjen, edhe pse më së shumti e ka nënkuptuar. Nga ana tjetër, Bushati ka tjetër plan për zgjedhjet vendore, me një emër tjetër, i cili mesa duket ka nisur të diskutohet edhe si kundërpeshë ndaj Mesit.
