
Sido që të përfundojë ndeshja me Laçin apo finalja e Kupës së Shqipërisë, sezoni 2020-2021 do të mbetet i paharrueshëm për Ardit Hoxhajn. I cilësuar prej vitesh si një talent, futbollisti më në fund pati vitin e shpërthimit të tij dhe u bë protagonist në ecurinë mbresëlënëse të Vllaznisë në këtë edicion ku ishte në garë për të dy trofetë deri në fund.
Paraqitjet e tij me gola dhe asiste gjatë gjithë kampionatit, kanë tërhequr vëmendjen edhe jashtë kufijve të Shqipërisë dhe pavarësisht rinovimit me klubin shkodran që në janar, futbollisti ka marrë sinjale kohët e fundit nga klube të shumta jashtë Shqipërisë. Oferta që mund të shtohen pas një artikulli të publikuar së fundmi në faqen e internetit të gazetës së njohur turke “Fanatik”.
Kjo e fundit, ka shkruar për disa futbollistë të cilët mund t’u bënin punë klubeve të Superligës turke, edhe pse ishin pjesë e kampionateve që cilësohen të nivelit të ulët. “Ardit Hoxhaj është një sulmues i krahut të majtë i cili luan me Vllazninë në elitën e futbollit shqiptar dhe ka lënë shenjë në kampionatin shqiptar në këtë edicion.
Futbollist i cili iu bashkua skuadrës në fillimin e sezonit dhe ka një kontratë edhe për një tjetër vit, shënoi 13 gola në 34 ndeshje këtë sezon dhe ka dhënë 2 asiste. Futbollisti 26-vjeçar ka luajtur edhe në ekipet kombëtare të moshave të Shqipërisë”, shkruante “Fanatik” në artikullin e saj kushtuar futbollistit të Vllaznisë që me siguri tashmë do të ketë më shumë vëmendje drejt tij.




