
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili pak ditë nga votimi në Kuvend i Buxhetit të vitit që vjen, thekson se ajo ditë është prova e madhe e Qeverisë Rama, nëse do të renditet me të varfërit e shumtë, apo do vazhdojë të sillet, sipas tij, egërsisht si po bën deri më tani.
“LSI kë kërkuar që TVSH për artikujt bazë të shportës të ulet 4 herë, e ngjashme me atë që edhe vende shumë të pasura e kanë por që tregohen të kujdesshëm dhe të merakosur për familjet në nevojë dhe me të ardhuara të pakta. Qeveria e një vendi të varfër të sillet kaq egër me të varfërit e saj, ndryshe nga sa sillet Evropa e pasur”- tha ai.
Sipas tij, LSI ka propozuar që taksa për banesën e parë të jetë zero, “kurse për banesat e tjera nuk kemi ndonjë diferencë nga ajo që propozon qeveria”.
Më tej, Vasili ka theksuar se TVSH për biznesin e vogël të mbetet te 5 mln lekë të reja dhe jo të ulet në 2 milionë, pasi shton kostot, i nxjerr nga tregu, i asgjëson dhe i lë mijëra familje pa ta ardhura bazike./panorama/