Krerët më të lartë të shtetit dhe politikës shqiptare do t’i nënshtrohen një kontrolli të plotë dhe të thelluar, për vërtetësinë dhe saktësinë e deklaratave të pasurive, të dorëzuara në vite të ndryshme kalendarike, pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Objekt verifikimi do të jenë edhe krerët e gjyqësorit në Shqipëri, por meqenëse këta po kontrollohen aktualisht për llogari të procesit të Vetingut, verifikimi konsiderohet i ezauruar.
Lista me zyrtarët e lartë që do të kontrollohen nis me Presidentin e Republikës dhe mbaron me anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Kontrolli i plotë i pasurive është produkt i ndryshimeve në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë. Ndryshimet në ligj janë miratuar në fillim të muajit prill të vitit 2017. Ndryshimet kanë kufizuar kohën brenda të cilës zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar duhet t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurive.
Sipas ndryshimeve, grupi i pushtetarëve dhe zyrtarëve të lartë duhet të kontrollohen një herë në dy vjet, ndërsa zyrtarët e nivelit të ulët një herë në pesë vjet. ILDKP kishte parashikuar nisjen e kontrollit që gjatë vitit 2017, por për shkak të ngarkesës së pazakontë, nga detyrimet që rrjedhin nga zbatimi i ligjit të Vetingut, procesi është shtyrë për këtë vit. Duke u bazuar në ligjin e ndryshuar, kontrolli do të nisë nga Presidenti i Republikës, kryeministri, deputetët, zëvendëskryeministri, ministrat, zëvendësministrat, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokati i Popullit, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zëvendësguvernatori dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të BSH.