Zbardhen gjashtë emrat e propozuar nga qeveria dhe parlamenti për Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Emrat që qeveria i ka dërguar parlamentit për votim janë; Ridvan Bode, Suela Popa dhe Edlira Luçi. Mes tre emrave të propozuar nga qeveria tërheq vëmendjen ai i ish-ministrit të Financave në 8 vitet e qeverisë ‘Berisha’, Ridvan Bode, i cili është tërhequr nga politika aktive pas përjashtimit që i bëri kryetari i PD, Lulzim Basha nga listat e zgjedhjeve të 2017. Suela Popa është gruaja e deputetit të LSI-së, Vangjel Tavo. Ajo ka qenë drejtoreshë e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, AZHBR-së, ndërsa Edlira Luçi është shefe e departamentit te Financës te Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.
Ndërkohë që tre emrat e propozuar nga parlamenti janë; deputeti i PD, Florion Mima, dekani i Juridikut Artan Hoxha dhe Arben Malaj, që propozohet për një mandat të dytë në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Nëse Florion Mima do të votohet nga parlamenti atëherë do i hapë rrugë kreut të PAA, Agron Duka për të hyrë në parlament, pasi është emri i katërt në listën e PD-së në qarkun e Durrësit. Emrat pritet që të votohen nga Kuvendi, ndërsa opozita e ka bojkotuar prej sesionit të ri parlamentar. Mandati i anëtarëve të Këshillit të BSH është 7 vite.
Sipas ligjit të Bankës së Shqipërisë, të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë: pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi (aktualisht vakanca është për tre); tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.
Deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj Banka e Shqipërisë ndodhet në ngërç, pasi Këshilli Mbikqyrës nuk mund të marrë vendime, njësoj si Gjykata Kushtetuese, apo Gjykata e Lartë. Në datë 21 nëntor dështoi për të dytën herë brenda 14 ditësh mbledhja normale e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, pasi ka vetëm 3 anëtarë, ndërsa 6 të tjerëve u ka mbaruar mandati dhe që duhet të zgjidhen nga Kuvendi. /Burimi:Shqiptarja/