Lëvizja Socialiste për Integrim prej disa kohësh është përfshirë nga një krizë e brendshme. Edhe pse kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ka evituar këtë fakt, duke mos e pranuar, një krizë e tillë sa vjen dhe bëhet më e dukshme. Që prej daljes në opozitë dhe më konkretisht qysh në momentin që LSI faktoi aleancën opozitare me Partinë Demokratike disa deputetë të kësaj force nuk po i binden më Kryemadhit.
Konkretisht bëhet fjalë për deputetët Robert Bitri, Vangjel Tavo, Nasip Naço, Lefter Koka, Agron Çela, Edmond Haxhinasto dhe Viktor Tusha. Të gjithë këta deputetë gjatë gjithë kësaj legjislature në një farë mënyre janë treguar të distancuar ndaj Kryemadhit, pasi disa herë radhazi nuk i janë bindur urdhrave të saj sa i takon aksionit opozitar. Madje këta deputetë janë shfaqur indiferent edhe sa i takon bashkëpunimit me Partinë Demokratike. Kjo për faktin se shpesh në komisionet parlamentare, por edhe në seancat plenare ka pasur një moskoordinim veprimesh apo më saktë një distancim të deputetëve të LSI ndaj atyre demokratë. Madje, një gjë e tillë është pasqyruar më së shumti gjatë këtyre javëve të fundit.
Në seancën plenare të së enjtes deputeti Robert Bitri, i cili ka qenë dhe deputeti i parë rebel ndaj Kryemadhit, nuk iu bashkua sërish grupit parlamentar të LSI dhe atij të PD gjatë bojkotit të Parlamentit. Madje, ai përveç kësaj u rreshtua krah deputetëve të mazhorancës gjatë miratimit të rendit të ditës. Sakaq, po dy javë më parë deputeti tjetër i LSI, Agron Çela qëndroi në seancë duke mos iu bashkuar grupit gjatë bojkotit të seancës. Ndërsa të njëjtën gjë bënë dhe deputetët Vangjel Tavo dhe Lefter Koka në seancën plenare të tre javëve më parë. Veprime që ndonëse u justifikuan para pak ditësh nga ana e Kryemadhit se kanë qenë për arsye teknike, duket se më së shumti kanë qenë një rebelim kundër aksionit opozitar të ndërmarrë nga LSI.
“Rebelët” rrëzojnë aksionin opozitar
Bashkëpunimi Basha-Kryemadhi ndonëse u krijua kundër qeverisë ka shkaktuar përçarje brenda kampit të LSI. Qysh prej caktimit të aksionit opozitar për mosbindje civile dhe bojkot të komisioneve parlamentare, deputetët e LSI kanë qenë të parët që kanë rrëzuar këtë aksion. Ishte fillimisht deputeti i LSI, Robert Bitri ai i cili hodhi poshtë urdhrat e Bashës dhe Kryemadhit dhe më pas Edmond Haxhinasto, Nasip Naço etj. Kjo për faktin se deputetët e LSI, kanë marrë pjesë rregullisht në komisionet parlamentare madje përveç diskutimeve ata kanë bashkuar edhe votat e tyre me mazhorancën gjatë miratimit të projektligjeve. Por përveç kësaj, në radhët e aksionit opozitar deputetët “rebel” janë shfaqur të distancuar edhe gjatë aksioneve që ka ndërmarrë opozita në Parlament ku ka bllokuar foltoren në shenjë proteste kundrejt kryeministrit. Veprime që shpesh nuk janë mirëpritur nga ana e 6 deputetëve të LSI, të cilët nuk janë bërë pjesë e këtyre shfaqjeve ndonëse Kryemadhi apo deputetë të tjerë të kësaj force janë bashkuar me demokratët. Ndërkaq, distancimi i deputetëve të LSI nga PD u pa dhe para pak ditësh në protestën që opozita zhvilloi para Ministrisë së Brendshme ku deputetët e LSI nuk morën pjesë ndonëse Kryemadhi tha se partia e saj do rreshtohej krah PD.
Deputetët “braktisin” Kryemadhin
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi duket se po braktiset nga deputetët e saj. Kjo sepse deputetët rebel përveç distancimit ndaj PD po shtojnë pakënaqësitë edhe ndaj Kryemadhit. Madje ata po braktisin edhe seancat plenare. Deputeti Vangjel Tavo si dhe Agron Çela për rreth 6 muaj nuk janë bërë pjesë e punimeve parlamentare. Kohë që tregon se pavarësisht problemeve që mund të kenë, është dhe një sinjal rebelimi ndaj Kryemadhit. Kjo sepse deputeti Tavo edhe pse ka munguar për arsye familjare, akuzat e LSI të bëra ndaj tij në lidhje me lobimin në SHBA, duket se kanë ngjallur tek ky i fundit një pakënaqësi. Megjithatë ngelet për tu parë sesi do të vijohet nga ana e Kryemadhit për të shuar këto rebelime pasi gjatë ditëve të fundit janë shtuar akoma më shumë./Nga Endri Arizi, sot.com.al/