Në demokraci protesta civile është e drejtë kushtetuese, por edhe përgjegjësi qytetare. Ka studime që tregojnë se vendet me numrin më të lartë të protestave publike dhe sidomos, vendet me suksesin më të madh të protestuesve civilë ndaj qeverive, janë edhe vendet me tregues të lartë të hapësirës demokratike. Aty ku mungojnë protestat ka pushtet absolut autoritar, aty ku protestat civile nuk merren në konsideratë ka pushtet abuziv, aty ku protestat dëgjohen e mesazhi respektohet ka demokraci e pushtete përfaqësuese. Protestat në tërësi vijnë si përgjigje ndaj arrogancës së qeverive, korrupsionit, vendimeve abuzime dhe jo transparente, injorimit të komuniteteve qytetare, mungesës së dialogut dhe të transparencës, kufizimit të lirive e të drejtave dhe në raste si Shqipëria, edhe si përgjigje ndaj imponimit të vendimmarrjes nga oligarkët kontrollues të pushtetit politik. Shumica e protestave kanë ardhur nga moszbatimi i ligjit, nga mungesa e drejtësisë dhe nga mungesa e institucioneve të treta garantuese të shtetit të së drejtës.
Cili është bilanci ynë me protestën? Ne jemi nga vendet me numrin më të vogël të qytetarëve që protestojnë. Zakonisht protestat i dominojnë partitë, por kur qytetarët marrin nisma për reagime publike, bilanci i aksionit të tyre mbetet shumë i brishtë. Pothuajse gjithnjë politika ia ka dalë ta përçajë, injorojë apo zhvendosë protestat e grupeve qytetare, duke imponuar projektet e veta. Nëse në vende si Gjermania, Holanda, Belgjika, Franca, Spanja, Çekia, etj, përqindja e protestave të suksesshme qytetare arrin në 60% deri 80%, në raste si Shqipëria suksesi i reagimit civil nuk ka kaluar 5% deri 10% të të gjitha protestave. Bashkëngjitur janë të dhënat e protestave më të rëndësishme të zhvilluara në Tiranë gjatë këtij mandati qeverisës të Tiranës.
Numerikisht janë shumë protesta dhe meritojnë vlerësim, por bilanci fundor i tyre ka qenë e mbetet simbolik. Një bilanc i tillë nuk e bën krenare dhe as fituese reale / morale qeverisjen në Tiranë, përkundrazi. Kur gjithnjë fiton pushteti, ai bëhet i rrezikshëm – thote Habermas. Një vend ku protestat civile nuk kanë sukses, është një vend në agoni në kulturë politike e demokratike. Arsyeja e bilancit të brishtë? Qeveritë kanë pasur e kanë potencial të dominojnë protestat civile përmes masave represive, përçarjes, ofertave gjysmake, makinës shtetërore të dhunës. Media nuk ka qenë në mbështetje të qytetarëve por të politikës. Grupet civile nuk kanë arritur të artikulohen me zërin qytetar. Politika i ka (keq)përdorur protestat për qëllimet e veta afatshkurtra. Vetë komunitetet lokale e qytetare protestuese nuk kanë organizim, burime financiare e njerëzore në dispozicion, përvojë dhe as traditë.
A ia vlen të protestohet? Në fakt, historia e protestës civile dhe demokracisë tregon të kundërtën. Sa më shumë protesta e reagim civil aq më shumë shanse ka një vend të bëhet demokratik. Sa më pak protesta e reagime civile aq më shumë një qeveri bëhet arrogante dhe e korruptuar. Ndaj protestat ia vlejnë,në çdo rast e në çdo kohë. Ato janë shprehje e demokracisë, janë akte të vullnetit të lirë, janë tregues e besimit tek demokracia, janë jetike për korrektimin e keqqeverisjes dhe janë sinjale qytetërimi dhe ndryshimi kulturor. /Nga Afrim KRASNIQI, Instituti i Studimeve Politike/