Për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, Bundestagu gjerman mendon se për to ende nuk ka një vendim mbi ligjshmërinë e tyre. Përveç kushteve të tjera, partitë e koalicionit qeverisës në Gjermani, CDU/CSU dhe SPD, kërkojnë një vendim urgjent nga Gjykata Kushtetuese për ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve.
“Zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019 ishin kryesisht paqësore; megjithatë mungon një vendim mbi ligjshmërinë e tyre. Nevojitet një vendim urgjent i Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve”, thuhet në kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman.
Gjithashtu, shumica e deputetëve gjermanë kërkojnë që Prokuroria të ndërmarrë një hetim kundër atyre që akuzohen për blerje të votave, duke nënvizuar se deri më tani nuk është lëshuar asnjë urdhër-arresti.
“Prokuroria ka ndërmarrë një hetim kundër atyre që akuzohen për blerje votash; megjithatë, deri tani nuk është lëshuar asnjë urdhër arresti. Duhet të fillojnë menjëherë procedime penale dhe të përfundojnë shpejt, sapo të vërtetohet një dyshim për veprën”, thuhet në vendim.
Bundestagu gjerman kërkon gjithashtu që të miratohet reforma zgjedhore. “Është paraqitur një ligj për reformën zgjedhore që përputhet me rekomandimet e OSBE / ODHIR dhe siguron një financim transparent të partive dhe fushatës zgjedhore, por mbetet për t’u vendosur”, thuhet gjithashtu.