Në një nga deklaratat e mrekullueshme, të njërit nga baballarët më të mëdhenj të kombit amerikan dhe kohës moderne në politikë si Abraham Lincoln thuhet: Tre gjëra formojnë një komb dhe ato janë; toka e tij, populli i tij dhe ligjet e tij! Sigurisht, ne kemi përgjysmë akoma tokën e kombit, kemi popullin dhe ligjet sigurisht i kemi virtuale! Kjo e fundit është shumë e rëndë! Jemi shoqëri që ka dalë nga diktatura dhe nuk ka hyrë në demokraci me ligjet dhe zbatimin e tyre. Pra jemi në tunelin – që lidh ose ndan (si të doni) “diktaturën me demokracinë”! Po zgjat tepër, shumë më tepër se e kemi menduar dikur! I kemi shkruar disa ligje dhe disa të tjerë i kemi kopjuar apo dhe sajuar, por nuk kemi zbatuar dhe kjo është akoma më keq se sa të mos i kesh! Them ligje, sepse llogje kemi bërë sa të duash! Ligjet nuk janë të njeriut, por të shoqërisë njerëzore! Ligjet janë produkti politik dhe intelektual më i rëndësishëm i shoqërisë në liri! Në diktatura apo tirani, ligjet janë produkt diktatori dhe tirani, e aq më tepër në zbatim. Ne kemi pasur dje “ligjin e njeriut” dhe këtë njeri e quanin Enver Hoxha e kishte pastaj dhe disa mijra “kodoshë të tij” më poshtë, që bënin “ligjin e njeriut Enver”! Sot, në tunel megjithë organizmat e drejtësisë të ngritura, nuk kemi “njeriun e ligjit apo njerëzit e ligjit” por vazhdon sërish “ligji i njeriut”! Nuk ka më turp dhe nuk është – jo thjesht anakronizëm, por është një patetizëm kriminal, në shoqërinë tonë medemek moderne! Sot “ligji njeriut” bëhet nga horrat si jashtë dhe sidomos në institucionet e drejtësisë dhe trekëndëshin prokuror – avokat – gjykatës!
Ne kërkojmë mafien te kanabisi dhe duke u marrë me “dhje..amanët përrallisësh” të politikës së përditshme trullosemi – por mafia kryesore, e cila ja kalon dhe ka nën kontroll edhe kanabisin edhe të gjitha organizimet kriminale është “mafia e drejtësisë” që ka “ligjin e njeriut” kudo në mendim dhe parim! Po pra, ligjin që bën njeriu dhe jo – “njeriun e ligjit të zbatuar” dhe imponuar dhe me dhunën e ligjit po të jetë nevoja! Sekseri avokat në “conection” me gjobaxhinjtë prokuror dhe gjyqtar – është drejtësia mafioze dhe renegate e demokracisë në Shqipëri: Ky segment i shtetit është më kriminali dhe faqeziu në tunelin ku jemi – në të gjithë 103 vitet e ekzistencës së shtetit modern shqiptar! Po të nisë puna pikërisht për ç’kriminalizimin e këtij sistemi (drejtësisë) dhe shpartallimit të “mafies prokuror – avokat – gjyqtar” edhe politika, arsimi, policia, por dhe shëndetësia vijnë në rrugën e ligjit dhe demokracisë! Pa rregullimin e raportit kokë poshtë “njeriu i ligjit vs ligji njeriut” nuk vjen dhe as ka për të ardhur asnjëherë, demokracia në Shqipëri! Ky moment keq apo mirë, tani ka filluar dhe pastrimi sigurisht nuk duhet të vijë menjëherë nga politika, sepse ajo është mirë apo keq e “zgjedhura qoftë dhe idiote e popullit” por nga drejtësia, e cila asnjëherë nuk është vendosur dhe zgjedhur nga populli! Ne jemi në tunel, vetëm nga drejtësia, që nuk zbaton ligjin! Prokurori nuk hap akuzë apo mbyll akuzë dhe atë që e ka bërë “padashje” për kriminelin dhe politikanin, gjyqtari nuk dënon apo e nxjerr jashtë, kurse avokati ka bërë punën e kodoshit dhe ka marrë paratë e mbrojtjes me ligj të blerë dhe shitur si drejtësi e stërkorruptuar! Turp dhe vetëm turp i madh që në vitin 2017 akoma ka një tragjedi ligjore dhe demokratike si kjo! Nuk ka se ku shkon më keq një vend që aspiron demokracinë. Prandaj them jemi në tunel! Dikur të ka dënuar ligji “njeriut Enver dhe diktatura e proletariatit” në shërbim të tij. Sot të dënon apo liron “ligji njeriut prokuror, gjykatës dhe avokat” (të vendosur si në kohë të Enverit politikisht) dhe përfundimi është i njëjti – nuk ka drejtësi! Po po – por ka vetëm euro! Kush nuk ka euro –nuk gjen drejtësi kurrë, kush ka euro, gjen drejtësi qoftë dhe krimineli i dukshëm dhe me fakte, që nuk kanë nevojë për gjyq e janë faqezinj në sy të popullit! Arroganca më e madhe dhe kriminale në Shqipëri, është ajo e drejtësisë së munguar, pastaj vjen ajo politike! Krimet e “ligjit të njeriut” te prokuroria janë llahtar në Shqipëri. Në saj të këtij “ligji” kanë miliona dhe kanë kryer krime kurrë të dënuara politikanët – ekonomisë së shtetit dhe privatit, janë vrarë njerëz dhe janë dhunuar interesat e shtetit shqiptar deri në territore të tij! Gjykata me modelin “ligji njeriut” ka lëshuar, nuk ka dënuar kriminelë që dhe prokuroria nuk ka mundur ti ndalojë të vijnë te ajo! Sot tuneli i errët i shoqërisë në saj të ligjit të pazbatuar është e keqja më e madhe dhe pritet që vendi të fillojë këtë shpërlarje dhe dalje nga tuneli në saj të të huajve, sepse vetë me forcat e tij, me mekanizmat administrativë të tij dhe njerëzit e tij nuk del dot! Vetë raporti pozitë dhe opozitë prej kohësh në këtë vend nuk e nxjerr dot, pikërisht vendin nga tuneli, ku vazhdon të jetë! Kardinali Richelie thotë: të bësh ligj dhe të mos e zbatosh është e barabartë me të autorizosh gjënë që do ta ndalosh! Dakord! Pra për 27 vite në tunel, moszbatimi i ligjit ka lejuar apo më mirë ka autorizuar krimin dhe korrupsionin në çdo qelizë të shtetit dhe në moral të shoqërisë! E si në pozitë dhe sidomos në opozitë, kur flasin me model akuzash – sigurisht janë në kohë fajtore të forta të mos zbatimit të ligjit! Sigurisht – por sot ka emra jo vetëm kriminelësh dhe politikanësh, por duhet të ketë emra prokurorësh dhe gjykatësish të stërkorruptuar dhe deri kriminelë të ligjit, që duhet të përballen me pasurinë e paligjshme të tyre dhe krimin në moszbatim ligji!
Mbas tunelit sigurisht do dalim në dritë të “zotit apo natyrës” po të shprehem kështu! Nga tuneli dilet vetëm me fillimin e drejtësisë në drejtësi! Benjamin Franklin thotë: ligjet më të buta zakonisht pothuaj nuk zbatohen, kurse ato më të ashprat, rrallë vihen në zbatim! Ky është dhe vakumi jo kriminal i drejtësisë! Sepse sigurisht nuk është kriminale e gjithë trupa e prokurorëve dhe gjykatësve apo dhe gjithë drejtësia! Ka dhe kështu sikundër thashë më lart! Por kjo është një dalje nga tuneli dhe përmirësim të aftësisë për të zbatuar ligj! Momenti pothuaj po fillon në saj të amerikanëve dhe europianëve! Kjo fije shprese që kemi është e lidhur me pikërisht USA dhe BE! Absolutisht shumë pak e lidhur si besim me njerëzit e politikës dhe pse ka plot që seriozisht duan një aksion të madh demokratik në kohë zgjatje të mirë, për “drejtësinë e padrejtë” në këtë vend! Ky është besimi i vetëm – përndryshe ky shtet dhe kjo shoqëri, do të vazhdojnë tunelin edhe për një kohë të gjatë, në mos mund të kenë dhe ndonjë përplasje fatale brenda tij!