
Vërtetohet ajo që jo pak thonin, himni i “Champions League” tjetërson Real Madrid-in. Skuadra “galaktike” ka lënë gjithçka pas në kampionat pasi sonte ka mundur me përmbysje 3-1 Paris SG në ndeshjen e parë të fazës së 1/16 të “Champions League”.
Sfida nisi me një ritëm të jashtëzakonshëm, por duhej të vinte minuta e 33-t që të zhbllokohej. Rabiot përfiton nga një largim topi jo i duhur dhe ndëshkon Real Madrid nga brenda zone. Nga ky moment dukej se ‘fantazmat’ do të ktheheshin për ‘galaktikët’ por përkundër asaj që pritej vendasit barazuan shifrat pak para fundit të pjesës së parë.
Cristiano Ronaldo nuk fali nga 11 metrat duke rikthyer jo vetëm baraspeshën por edhe entuziazmin në “Bernabeu”. Kaq sa i takon pjesës së parë ndërsa në fraksionin e dytë të lojës do të vinte përmbysja.
Cristiano Ronaldo në minutën e 83-t shënoi golin e dytë personal dhe të dytin për Real Madrid. Paris SG nuk e mori veten nga ky rezultat dhe në harkun kohor të 3 minutave do të pësonte edhe golin e tretë nga Marcelo.
Një zhgënjim për Neymar me shokë të cilët mbahen te goli në fushë kundërshtare pavarësisht se forca e madrilenëve dihet. Gjithçka mbetet për t’u përcaktuar në sfidën e dytë por skuadra e Zidan është më e favorizuar.
Në ndeshjen e dytë Liverpul ka masakruar Porton duke e mundur 5 – 0 në shtëpi dhe duke siguruar tashme kualifikimin për në turin tjetër.







