
Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga një 34-vjeçar nga Lezha pasi është kapur me drogë në pikën kufitare të Kakavijës. Sipas të dhënave zyrtare, shtetasi Mark Biba është paraqitur dje në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë si pasagjer në një autobus duke udhëtuar për në shtetin grek. Nga kontrolli i ushtruar nga punonjësit e policisë kufitare Kakavije, në çantën e dorës si dhe në një çantë që kishte në bagazhin e autobusit iu gjet 1.5 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sattiva. Nga specialistët e seksionit të Hetimit të Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër u bë arrestimi në flagrancë i 34-vjeçarit, banues në Shënkoll, Lezhë. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Gjirokastër për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.