
Duket se zyrtarisht Lulzim Basha është jashtë skenës aktive politike. Në fakt, ai vijon takimet, por duke mos kërkuar fokusin e mediave përveç raste sporadike ku shfaqet në rrjete sociale me foto.
Megjithatë, duket se ai por edhe Alibeaj si i komanduar në drejtimin e PD- së që njeh KQZ dhe Kuvendi, po luajnë për të fuqizuar rolin e tyre sidomos në parlament.
Dorëzimi i mandateve nga Alfred Rushak dhe Grida Duma, përveç se mund të lexohen si “hapje krahu” për grupimin Alibeaj në PD, është edhe fuqizim pikërisht për këtë linjë në Kuvend.
Oriela Nebiaj që zëvendëson Grida Dumën, është jo vetëm mbështetëse e Bashës por edhe një nga njerëzit që ai i besoi ristrukturimin e FRPD- së teksa ishte në drejtimin e PD- së.
Petrit Doda, i cili krahas siglës së madhe të PD- së me 25 prill 2021, kishte edhe një të vogël të Partisë Lëvizja e Legalitetit, duket se është nga përkrahësit e linjës së Lulzim Bashës në PD.
Qarku i Shkodrës, ku të paktën mandati i Zef Hilës që kandidon për kryebashkiak në Vau Dejës do të duhet të zëvendësohet, do ti kalojë një tjetër mbështetësi të Lulzim Bashës, pikërisht Ludovik Hasani.
Kjo pasi Bardh Spahia i cili është më i votuari si i parapëlqyer me 25 prill 2021, është bërë tashmë pjesë e primarëve për të rikandiduar si kryebashkiak në zgjedhjet vendore të 14 maj 2023.
Kështu, shumë shpejt duket se Bashës në Kuvend do ti shtohen edhe 3 “besnikë” të tjerë, ndërsa nuk përjashtohet që Berisha dhe pjesa tjetër e PD- së, të punojnë për ndryshimin e emrave që mund të përfitojnë mandatet. Edhe pse, ligjërisht duket mjaft e vështirë.




