
E nderuar redaksi!
Ju lutem mos më identifikoni. Më prezantoni si deputet/e që dua të siguroj rikandidimin ose si kandidat/e për tu kandiduar vitin që vjen për deputet/e. Po ju shkruaj që të mirëkuptoni qëndrimin tim, sidomos nga tani deri në daljen e listave përfundimtare nga kryetarët e partive, edhe kryetari i partisë sime. Beteja është e fortë këtë radhë, aq më shumë se 1/3 e listës e ka në dorë pikërisht kryetari dhe që nuk ka zot herësi që e ndryshon. Ai është synimi im i parë.
Mund të kandidoj në Shkodër ose në një nga 12 qarqet. Nuk ka pikë rëndësie, kudo të vendosë kryetari im. Po të mendonte të më përfshinte tek lista e sigurtë, 1/3 që nuk preket, do të ishte shumë i/e lumtur. Por dhe në pjesën tjetër, nuk është keq. Mund të ndodhë mrekullia dhe të më votojnë zgjedhësit dhe të më fusin me vota nominale në parlament. Edhe po në më futën, duke qenë në listë jamë zgjedhje e parë që të marr ndonjë post të rëndësishëm me emërim. Nëse nuk do jemi në qeverisje, edhe në opozitë nuk besoj është keq. Të paktën kështu thonë kolegët…
Javët e fundit, ju dukem i/e egërsuar. Ashtu është. Duhet të shajmë pa asnjë mëshirë palën përballë. Madje, të shpifim deri në oktavën e fundit, sepse nuk i njoh numrat e tyre. Edhe pse luaj bukur si gjithmonë, nuk jam muzikant/e. Shqetësimi ynë kryesor deri sa të dalin listat e kandidatëve për deputetë, duhet të jetë populli. Tani e tutje, do flas vetëm në emër të tij, do i qaj hallin nëse ka, nëse nuk ka, duhet të sajojmë halle që kërkojnë zgjidhe, të cilën mund t’ja zgjidh vetëm prania ime në parlament.
Do të jem i detyruar të gënjej, të shpif, të sulmoj, të lëpij, të puth, të pështyj. Sigurisht jo në drejtim të popullit por të atyre përballë por edhe këtyre të mijve. Sepse edhe brenda nesh, kemi shumë luftë. Të gjithë synojnë 1/3 e sigurtë. Po bëjnë gati edhe “valixhet”, sepse puna bëhet më e lehtë kur “kontribuon” diçka për partinë. Po nuk i pata, duhet ti gjej borxh. Ka mjaft nga ata që janë gati të më “kreditojnë” me shpresën e qeverisjes e nëse nuk ndodh, edhe për ti kryer ndonjë “punë” të vockël nga ulësja në parlament. Sepse ta dini, përtej asaj që ju shikoni në televizor, të 140 në atë sallë, kryejnë “punë”, të madhe ose të vogël por e kryejnë.
Tani më duhet ta mbyll, duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj dhe mos më dekonspironi. Emri im nuk ka shumë rëndësi. As edhe gjinia, edhe pse të jesh femër, mund të futesh më lehtë në parlament përmes kuotave gjinore të gjinisë më pak të përfaqësuar. Nuk ka rëndësi as partia që i përkas apo do ti përkas. Të gjitha njsoj janë, një sistem kanë kur është puna tek kandidimi. Prej kohësh përpiqem ti bie në sy shefit të partisë. Nuk lë postim pa i bërë share, like apo edhe koment. Ndoshta mun ta keni parë shpesh emrin tim. Edhe në postimet që bëni ju si redaksi. Madje, postime që përmendem unë apo partia ime, i bëj edhe story.
Punë të mbarë e suksese. Po patët mundësi, vazhdoni më ndiqni e më shpërndani. Sa më shumë, tani për tani, falas. Keni edhe mision informimin. Keni informacione më të besueshme se ato që shpërndaj unë?! Kismet, vitin tjetër ndoshta nuk do t’ju njoh apo begenis unë. Të paktën deri në zgjedhjet që do të pasojnë ato të 2025- ës. Bëra shaka, kuptohet. Pa ju nuk kemi jetë! Jeni ju, pa jemi ne. Pastaj, edhe ju popull jeni. Mund tëpërfitoni nga mandati im. /Nga Deputeti Imagjinar, ardhur në redaksi nga adresa mail deputet_imagjinar@kuvend.al, mos e kontaktoni se nuk përgjigjet/