LETËR NË REDAKSI/ “Drejtori ushtron një dhunë të paparë psikologjike tek punonjesit e Spitalit Rajonal të Shkodrës”

Loading...

Para pak minutave ka mbërritur me rrugë elektronike, një letër e një zonje nga Shkodra, punonjëse në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Ajo është e identifikuar me emër dhe mbiemër, por është dëshira e saj që të mos i publikojmë foto. Ajo ngre disa shqetësime individuale por edhe të punonjësve të tjerë të spitalit, duke njoftuar se ka bërë edhe dapi penale në Prokurori.

ShkodraWeb e ka si parim të vetin vënien në dispozicion të atyre që nuk gjejnë dot hapësira për të shprehur problemet e hallet e tyre. Edhe në këtë rast, nuk mund të bëjmë përjashtim. Letra do të botohet e plotë, e pacensuruar siç është edhe dëshira e zonjës që e ka dërguar, vetëm me disa redaktime gjuhësore.

Jam Nermina Bekteshi. Meqenëse familja ime nuk është dakord që unë të prononcohem me figurë, dhe duke qenë se unë, për shkak të gjendjes jo të mirë shendetësore, emocionohem kur flas, vendosa t’ju shkruaj dhe t’ju tregoj se çfarë ndodh realisht në Spitalin e Shkodrës.

Gjithcka ndodh është ppr shkak të drejtorit të këtij spitali, Vilson Masmalaj. Ky individ po ushtron një dhunë të paparë psikologjike tek punonjesit e spitalit. Qëkur ka filluar punë si drejtor, me 06.12.2017, ka dhënë mbi 60 masa administrative të pabazuara në ligj, thjesht për presion.

Nuk guxojmë të sëmuremi e të marrim raport mjeksor sepse i gris raportat dhe nuk i paguan. Mua nuk më ka paguar 2 ditë pune, Agron Livadhi, me pozicion lulishtar, merr 6 ditë raport se ishte me zgjebë. Ky drejtor, jo vetëm qe nuk ja paguan ditët por i gris raporten dhe e nxjerr me forcë nga zyra. Këto janë plotësisht të verifikueshme sepse shihen listë prezencat që janë me ditë mangut.

Nuk jep lejet e zakonshme punonjësve. Lejet e vitit 2017, të cilën punonjësit kanë të drejtë ta marrin deri me 31 mars 2018, ai nuk u‘a ka dhënë, duke djegur kështu lejet e 70% të personave që e kanë kërkuar. Kurse për lejet e këtij viti, kërkoi që çdo sektor të bënte një planifikim për gjithë vitin. Ok. E bëmë planifikimin. Nuk pranoi t’a firmoste dhe tashti kërkon që çdo individ, t‘i bëjë kërkesë atij, me shkrim, ku duhet t‘i tregojmë arsyen se perse e duam lejen.

Tashti të dalim tek problemi im. Mua, me një shkresë, urdhër i brendshëm i datës 11.06.2018, me zbret nga detyra, nga ekonomiste e lartë në Sektorin e Mjedisit, në operatore e mesme në Sektorin e Kostos. Se si mundet një ekonomiste të hedh në sistem kartela me emrat e ilaçeve dhe me diagnoza sëmundjesh të ndryshme, këtë e di drejtori. Nga kjo padrejtësi që më është bërë, unë pësova tronditje dhe u shtrova në spital, në psikiatrik.

Janë edhe shumë shkelje të tjera, të dokumentuara, të cilat nuk mund t’jua them, sepse janë pjesë e hetimit të Prokurorisë, prane së cilës unë kam depozituar padi penale. Postojeni dhe shpërndajeni në të gjitha portalet. Vetëm provoni të investigoni, duke ruajtur anonimatin e personave, dhe ju garantoj se do të mësoni shumë më tepër se sa ju tregova unë. Ju falenderoj. Me respekt Nermina Bekteshi.”, përfundon letra e ardhur në redaksinë e ShkodraWeb.

Zonja letërdërguese, ka rrëfyer të vertetën e saj. Jemi të ndërgjegjshëm se mungon edhe versioni i drejtorit të Spitalit Rajonal të Shkodrës, z. Vilson Masmalaj. Në çdo moment, do të jemi të gatshëm ta publikojmë, me të njëjtën përkujdesje dhe hapësirë si për zj. Bekteshi. Gjithmonë nëse do të shfrytëzojë hapësirën që mund të ketë në dispozicion në ShkodraWeb.

Loading...

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.