LETËR E HAPUR- Po ju drejtohem publikisht zonja Yuri Kim, po ndikoni në ngjalljen e një fryme antiamerikane

Nga Vili MINAROLLI
Ish- ambasador në Vienë dhe Athinë

Po ju drejtohem publikisht zonja Yuri Kim: E nderuar ambasadore e SHBA në Shqipëri. Jam një person tashmë në moshë të tretë, jashtë çdo funksioni publik a shteteror. Familja ime në breza ka luftuar me pushkë dhe penë në të mirë të vendit dhe ka qenë gjithmonë një frymëzuese e dashurisë për vendin që përfaqësoni.


Në vitin 1944 me ardhjen e komunistëve, një pjesë jo e vogël u pushkatuan, u burgosën (ndër ta edhe im atë) dhe u internuan me pakufi vite dhe një akuzat ishte ajo e agjentit të Amerikës.

Pas vitit ‘90 edhe unë kam qenë në postin që ju keni sot dhe kam punuar ngushtë me ish- kolegët tuaj në sherbim të problemeve që ishin në interes të çeshtjes tonë kombëtare. Derën e tyre e kam patur të hapur në çdo kohë dhe mendimet e tyre kanë qenë me shumë vlerë për mua si një diplomat i ri.

Po ju përmend tre prej tyre: Ambasadorin Rudolf Perina, një diplomat i shkëlqyer me të cilin bashkëpunuam në Beograd për çeshtjen e reprezaljeve të regjimit të Millosheviçit ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës . Në Athinë me ambasadorin Çarls Ritz bashkëpunuam ngushtë për të shmangur veton greke për antaresimin në NATO. Mendimet e tij por edhe veprimet e tij ndikuan ndjeshëm në zgjidhjen e problemit. Në Vjenë pata po ashtu marredhenie shumë miqësore me ambasadorin William Eko III, një mik i afërt i Presidentit Obama.  Të gjithë këta ma përmendnin dashurinë e shqiptarëve per vendin e tyre dhe e tregonin hapur mbështetjen e tyre për ne.

Zonja ambasadore, kam vënë re (ndoshta gabohem) se me disa veprime tuaja preferenciale, po ndikoni në ngjalljen e një fryme antiamerikane në gjysmën e popullsisë në Shqipëri. Sinqerisht e kam të vështirë të kuptoj arsyen, kur nga njera anë deklaroni për luftën kundër korrupsionit dhe nga ana tjetër institucionet e larta në vendin tuaj e klasifikojnë regjimin në Shqipëri të papranueshëm për standardet tuaja dhe vlerat që përfaqësoni si vend.

Ju siguroj se do të dështoni në këtë sipërmarrje që keni ndërmarrë ju dhe eprorët tuaj. Këtë gjë e provoi diktatura komuniste për 45 vjet dhe nuk ja arriti. Ju kujtohet pritja që iu bë në Tiranë Zotit James Baker në qershor të ‘91, vetëm disa muaj pas rrëzimit të regjimit. E paparë në historinë dhe politikën amerikane.

Ju keni marrë një fushatë ndaj një ish- presidenti dhe dy herë kryeministër deri dhjetë vite më parë. Në këto vite ai ka qenë vetëm një zë i fuqishëm në parlament kundër korrupsionit, kundër kanabizimit të vendit , kundër krimit të organizuar me emra dhe… nuk po përmend të tjera që i keni çdo muaj nga DASH dhe asnjë kundërshtim apo kundërveprim nga mazhoranca.

Sinqerisht nuk mbroj asnjë njeri të korruptuar që ka dëmtuar buxhetin e shqiptarëve. Ju thoni se keni ndërtuar një drejtësi që do të japë drejtësi. Pse nuk i paraqisni tek drejtësia e reformuar? Me aq sa kuptoj nga politika mendoj se ka një plan nga ju për vendin tim. Ju e deklaruat para disa muajve se zgjedhjet do i fitonte mazhoranca në fuqi, kur i kërkuat teë mos përfshinte një deputet në kabinetin e ri, jo nuk thatë asnjë fjalë për patronazhistët dhe përfshirjen e krejt aparatit shtetëror dhe lokal në tjetërsimin e votës dhe… pa u shprehur KQZ, legjitimuat zgjedhjet.

Ky nxitim ishte për të bllokuar çdo përpjekje të opozitës dhe ia arritet me anë të kryetarit të saj. Me aq sa di unë dhe mbarë shqiptarët, ky person ish nga më të rëndësishmit në politikën shqiptare, ka patur respektin dhe mbështetjen e presidentëve të vendit tuaj dhe i kanë qendruar pranë në proceset e integrimit euroatllantik. Ai ka qenë i ftuar disa herë në Shtëpinë e Bardhë dhe në institucionet më të larta të vendit tuaj, duke u vlerësuar për punën në dobi të vendit dhe kombit shqiptar.

E permenda, po sinqerisht nuk arrij të kuptoj pse ky sulm ndaj një personi që gëzon respekt tek partia që themeloi dhe drejtoi? Kujt i prish punë fjala e tij? Ndoshta gaboj por më duket si një veprim i pastër politik, për të lënë të qetë dikë që varfëron vendin. E di që nuk do më pergjigjeni, megjithatë ju falenderoj nëqoftëse e lexoni. /Redaktuar nga ShkodraWeb/