
Bashkia Shkodër, KF Vllaznia dhe familja Bizi njoftojnë se homazhet në nderim të Mjeshtrit të Madh, Sabah Bizi, “Nder i Kombit”, do të mbahen ditën e premte, më 17 janar, nga ora 10:00 deri në 15:00, në stadiumin “Loro Boriçi”.
Bashkia Shkodër shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë komunitetit që e kujton me respekt të thellë këtë figurë të ndritur të sportit shkodran dhe atij shqiptar.
Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci në Facebook: Lamtumirë, Mjeshtër!
Lajmi për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit shkodran dhe atij shqiptar, Sabah Bizi, është një ditë e trishtë jo vetëm për botën e sportit, por për të gjithë Shkodrën.
Një emër që i dhuroi Shkodrës shumë trofe dhe lavdi. Emocionet që solli për tifozët e zjarrtë të Vllaznisë do të mbeten përgjithmonë në kujtesën e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë.