Shënim i ShkodraWeb
“Kombetarja” e Shqipërisë ka zhvilluar të hënën një ndeshje miqësore me Norvegjinë në “Elbasan Arena”. Një ndeshje që përfundoi me humbje minimale për kuqezinjtë tanë.
Pak përpara nisjes së ndeshjes e cila u transmetua në paketën “Digitalb” me pagesë dhe falas në rrjetin RTSH, operatorëve kabllorë u ka mbërritur një mail nga AMA- Autoriteti I Mediave Audiovizive. Teksti I tij është më poshtë:
“B azuar në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe në aktet nënligjore të miratuara në dhe për zbatim të tij, ju bëjmë me dije se në lidhje me eventin sportiv të futbollit, Shqipëri – Norvegji, e cila do të luhet me datë 26 mars, ora 19.00, të drejtat e transmetimit të tij me pagesë gëzohen vetëm nga shoqëria “Digitalb” sh.a. për ta transmetuar në platformat e saj televizive . Përveç kësaj, të drejtat e transmetimit të kësaj ndeshjeje, free – pa pagesë – i gëzon edhe operatori publik RTSH.
Për këtë arsye, ju bëjmë me dije, se, në rast të mungesës së një marrëveshje specifike për përsëritjen, apo ritransmetimin e këtij eventi me pagesë , asnjë prej subjekteve përsëritës (kabllorë, iptv, ott, etj.) nuk ka të drejtë për transmetimin e ketij eventi në kohë reale.
Për këtë arsye, të gjithë subjektet përsëritës të sinjalit televiziv të operatorit publik RTSH, kanë detyrimin që në momentin e zhvillimit të këtij eventi, sinjali tv i operatorit RTSH duhet të jetë në formë të kriptuar, ose, në pamundësi kriptimit, sinjali duhet të jetë i mbyllur.
Në rast se nga verifikimet dhe monitorimet e AMA-s do të rezultojë se transetimi i këtij ventit është bërë në kundërshtim me sa më sipër, ndaj subjektit përkatës do të procedohet sipas të gjitha parashikimeve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Duke ju falenderuar për mirëkuptimin,
Enkelejd LAMAJ
Drejtor i Drejtorisë së Mbikëqyrjes
AMA – Autoriteti i Mediave Audiovizive”.
Në rastin më të mire, një mail i tillë, i shpërndarë elektronikisht për Televizionet Kabllore në vend, është lajthitje. Në rastin më të keq, është kthim në shërbetor i AMA-s në favor të një operatori me pagesë, siç është “Digitalb”.
Në pjesën morale, në të gjithë botën UEFA, FIFA por edhe organizma të tjera politike në nivel europian apo global, po bëjnë përpjekje që futbolli- si sporti me i dashur, të shkojë edhe free- pa pagesë tek futbolldashësit. Mjafton të merrni shembull Champions League, disa ndeshje të të cilit, transmetohen edhe pa pagesë si detyrim i përfshirë në marrëveshjet me UEFA-n. Po flasim për një nivel më të lartë, Kombëtaret, këtë rast atë të Shqipërisë. Të gjitha televizionet publike, transmetojnë pa pagesë të gjitha ndeshjet e Përfaqësueseve të vendeve të tyre. Pa pagesë, i transmeton edhe RTSH, i vetmi operator televiziv publik në vend. Edhe për interesa të tij. RTSH ka vendosur ta përsërisë sinjalin e tij edhe përmes platformave të tjera televizive, në këtë rast edhe përmes Televizioneve Kabllore në të gjithë vendin. E vetmja mënyrë për të ndjekur RTSH në një pjesë të konsiderueshme të vendit, janë platformat kabllore ose platformat dixhitale me marrës. Pra, nda dita në ditë, po bëhet e pamundur që të ndjekësh RTSH me një antenë të thjeshtë, të themi te drejtuar nga Taraboshi për Shkodrën. E vetmja mënyrë mbeten platformat televizive, ku RTSH përsërit sinjalin.
Duke folur tanimë për pjesën ligjore të cështjes. Në çdo rast përsëritje sinjali, RTSH ka një kontratë me platformën, qoftë dixhitale, qoftë kabllore. Një kopje e saj, depozitohet në AMA. Rigorozisht, platformat përsëritëse, janë të detyruara të respektojnë këtë kontratë dhe në këtë rast, AMA mund të jetë vetëm një “quasi gjykatë” nëse njëra palë ankimon. Duke u kthyer tek ndeshja e Kombëtares shqiptare, vetëm RTSH mund ti kërkonte platformave dixhitale apo kabllore të kriptonin transmetimin e ndeshjes Shqipëri- Norvegji. Edhe kjo, në kohën e duhur që ti mundësonte këtyre platformave realizimin teknik të procesit. Deri tani, rezulton që RTSH nuk ka bërë një kërkesë të tillë sepse në kontratat me platformat televizive përsëritëse, parashikohet transmetimi i plotë i programacionit të Televizionit Publik, si çdo televizioni tjetër. Madje, në kontrata parashikohet se përgjegjësia është e RTSH për të drejtat e transmetimit të programeve televizive që përsëriten në platformat televizive dixhitale apo kabllore. Pa dashur të futemi në pjesën ekonomike të marrëveshjes: Nëse RTSH merr të ardhura nga platformat për përsëritjen e sinjalit apo jo….
Është e qartë, se në këtë rast si edhe më herët, AMA po luan në favor të interesave të një platforme dixhitale, në këtë rast “Digitalb”. Po futet në marrëdhënien kontraktuale në mes RTSH dhe platformave digjitale apo kabllore, në shkelje flagrante edhe të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar që vetë e citon, por pa i’u referuar një neni të caktuar. Për një arsye të thjeshtë: Sepse nuk ka asnjë nen që përcakton këtë rol të AMA-s. AMA do të bënte mirë që të luftonte seriozisht pabarazinë e tregut mediatik në vend, piraterinë televizive, përdhosjen e të drejtave televizive e intelektuale. Që në fakt, janë edhe detyrime ligjore parësore për këtë institucion.