
Edison Oruqi, është gjetur i mbytur në ujrat e lumit të Shales, në Koman. Kanë qënë familjaret të cilët kanë kryer kontrolle gjatë paradites së sotme dhe kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë. Ata kërkojnë ndihmën e policisë dhe polumbarëve për nxjerrjen e kufomës nga uji sepse e kanë të pamundur për shkak të rrjedhes së ujit.
Babai i 3 fëmijëve u zhduk në mënyrë misterioze, paraditen e së shtunës. Ai ishte duke punuar në një bujtinë atje. Dyshohet se personi që e kishte marrë në punë viktimën, pas punët, e kishte lënë Edisonin në një gadishull të vogël me rërë dhe jo në destinacion sepse aty nuk arrinte varka.
Ndërkohë, Skendër Pepkolaj, kolegu i punës së Edison Oruqit, që u gjet i i pajetë, tregon vendin se ku është mbytur babai i tre fëmijëve. Ai tregon edhe vendin ku pronari e la viktimën, në një zonë të rrethuar në të gjitha anët nga uji.
“Tek ai zalli përtej lumit ka pas vendin e punës, por nuk kalohet në këmbë, ka ujë, nuk ka rrugëdalje këmbësore, por varka nuk ka kalu dhe është detyru ta lejë në këtë zallin këtu, është i rrethuar me ujë nga të gjitha anët. Vetëm ky shteg kalimi është, i cili ka qenë i pa kalueshëm në këmbë, këto janë dyshimet se është përpjekur të hyjë në ujë dhe mund ta ketë marrë rrjedha, personi që ka qenë këtu, ka thënë se ka lënë në këtë zall”, tha Pepkolaj.
NJOFTIMI I POLICISË
Sot, rreth orës 1:00, në breg të lumit të Shalës, është konstatuar trupi i pajetë i shtetasit E. O., 40 vjeç, i cili dyshohet se është mbytur. Nga këqyrja paraprake e trupit, në prani të ekspertit mjekoligjor, nuk janë konstatuar shenja dhune. Vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle të pandërprera për gjetjen e këtij shtetasi, që pas kallëzimit të bashkëshortes së tij, për humbjen e kontakteve me të.