ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

Lajme të mira për Vllazninë, Këshilli Bashkiak i miraton edhe 200 milionë lekë…

Gjatë kohëve të fundit është folur shumë për liçensimin e klubeve të futbollit në Shqipëri dhe afati i fundit për marrjen e “Ok”-it është data 31 korrik.

Loading...

Ndër ekipet me probleme është edhe Vllaznia e cila siç dihet ka detyrime të shumta ndaj degës së tatim- taksave. Por ndërkohë, ditët e fundit për kuqeblutë ka ardhur një lajm i mirë.

Këshilli Bashkiak Shkodër në mbledhjen e tij të rradhës ka miratuar një fond prej 200 milionë lekësh të vjetra, shumë kjo që do të shkojë për shlyerjen e një pjese të detyrimeve fiskale.

Në fakt kjo shumë ka qenë e planifikuar të miratohej që në mbledhjen e muajit maj të Këshillit Bashkiak dhe po ashtu edhe në qershor, por kjo nuk ndodhi për mungesë të kuorumit të duhur megjithatë tashmë u bë realitet në mbledhjen e korrikut dhe për ta ligjëruar atë duhet marrë edhe Ok-i i Prefektit.

Në përshkrimin e materialit që iu është paraqitur këshilltarëve për miratim, shkruhet: “Në muajin 2017, Drejtoria Rajonale e Tatimeve kreu një rivlerësim të pagesave të kryera në vite nga KF Vllaznia për pagat e sportistëve. Pagesa e kryer nëpërmjet honorareve si shërbim i kryer, u rivlerësua duke e kaluar me paga dhe sigurime shoqërore dhe tatim mbi të ardhurat.

Ky rivlerësim shkaktoi një ndryshim të madh negativ në pasqyrat financiare të fundvitit duke krijuar detyrime të pallogaritura të shtetit.
Detyrimi në fund të vitit 2018 për sigurime shoqërore dhe tatim nga të ardhurat arrin në 116.659.257 lekë duke përfshirë këtu edhe gjobat e kamatvonesat. Principali është në shumën 75.621.549 lekë.

Nga KF Vllaznia vazhdojnë akoma procedurat ligjore të kundërshtimit të këtij vendimi, por ndërkohë Drejtoria Rajonale e Tatimeve ka bllokuar të gjithë veprimtarinë financiare për mosshlyerje të këtij detyrimi dhe lidhjen e një aktmarrëveshje të re me DRTSH për shlyerjen me këste”.

Para disa kohësh, KF Vllaznia ka paguar një tjetër shumë prej 50 milionë lekësh të vjetra dhe ndërkohë edhe me këtë 200 milionëshin e miratuar së fundi, shuma e detyrimit zbritet dhe po ashtu, do të bëhet një marrëveshje e re për shlyrjen me këste të shumës së mbetur të detyrimit. Si rrjedhojë, KF Vllaznia pritet të marrë kësisoj edhe liçensimin për sezonin futbollistik 2019-2020. /ShkodraSport/

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.