Me hidhërim morëm vesh lajmin e vdekjes së ing. Xhavit Dibrës. Ishte djali i tretë i Riza Beqir Dibrës, klerik i nderuar që përveç detyrës fetare, që shërbeu në disa fshatra të Shkodrës, ka mbajtur ditar për ngjarjet e rëndësishme të qytetit, pjesë të cilit janë në vepren e Hamdi Bushatit “Shkodra dhe motet”. Ai kishte një bibliotekë të pasur që mbas vdekjes iu dhurua Hafiz Sabri Koçit.
Xhaviti lindi në vitin 1935 Lagjen Dudas të qytetit të Shkodrës. Mbasi mbaroi shkollën e mesme vazhdoi kursin një-vjeçar të organizuar nga Drejtoria e Kadastrës pranë Ministrisë së Bujqësisë. Në përfundim të tij ai u pajis me dëshminë “Gjeometër-Gjeodet”.Gjatë viteve 1953-1954, Xhaviti ishte pjesë e grupeve rilevuse- topografike në fshatrat e rretheve Shkodër, Lezhë, Kavajë, Fier, Vlorë, etj.
Pasi kreu shërbimin e detyruar ushtarak, nga viti 1961 deri në vitin 1965 ai punoi si teknik topograf në Zyrën e Urbanistikës të qytetit të Shkodrës, dhe më pas deri në vitin 1968 ai punoi në Zyrën e Urbanistikës dhe Projektimit të rrethit Shkodër në ndjekjen e piketimeve dhe zbatimin e punimeve të ndërtimit të banesave vetjake në qytet dhe fshatrat përreth. Nga viti 1968 deri në vitin 1980 Xhaviti drejtoi Seksionin Komunal në Komitetin Ekzekutiv të rrethit Shkodër. Ndërkohë, në vitin 1976 ai përfundoi studimet e larta dhe u diplomua si Inxhinier Ndërtimi në Filialin e Universitetit të Tiranës në Shkodër.
Si drejtues i Seksionit Komunal ai mori pjesë aktive në grupin e punës për elektrifikimit të fshatrave të rrethit Shkodër, në përcaktimin e vendndodhjes dhe fillimin e punimeve të ndërtimit për Plazhin e Velipojës që në vitin 1969, si dhe në hapjen e rrugës të Dukagjinit (Postribë- Lotaj- Shalë), të rrugës së Shllakut (Muri i Turkut- Vukpalaj- Fshati Benë), të rrugës Zogaj, etj. Në vitet 1980 – 1987 punoi si drejtues i Ndërmarrjes- Banesa Shkodër, e cila ishte përgjegjëse për shërbimet komunale në qytet, mirëmbajtjen e banesave shtetërore, rrjetit rrugor, dhe sipërfaqeve të gjelbrimit në qytetin e Shkodrës. Në vitet 1988 -1990 ai drejtoi Komitetin Ekzekutiv të qytetit i cili ndiqte mbarëvajtjen e shërbimeve komunale, tregtare, shëndetësore, si dhe arsimin parashkollor dhe tetëvjeçar në qytet. Gjatë viteve të punës u vlerësua me “Medalje Pune të klasit të II-të” dhe “Urdhëri i Punës i klasit të II-të”.
Pasi del në pension në vitin 1991, Xhaviti angazhohet në sipërmarrje private në vitin 1998 deri në vitin 2000, si sipërmarrës në fushën e merimetimit dhe rikonstruksionit të disa objekteve të vogla. Nga viti 2001 deri në vitin 2012 punoi si i punësuar mbikqyrës në veprimtari ndërtuese. Nga martesa me znj. Belkize Dibra (Kaca) ka dy vajza Mirjamin, profesore e asociuar pedagoge në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Fakulteti ekonomik dhe Pranvera, historiane, profesore e asociuar. /Publikuar në Facebook nga Zenepe DIBRA/