Qeveria shqiptare ka marrë një vendim të rëndësishëm për 15 personalitete të sferave të ndryshme si kultura, arti, sporti etj. Bëhet fjalë për emra të rëndësishëm dhe me kontribute.
Mes tyre spikat sigurisht “Mjeshtri i Madh”, Zef Çoba, kompozitor dhe dirigjent i mirënjohur. Është një vlerësim mëse i merituar për autorin e “Xhamadanit…” shumë të njohur kudo por edhe autor qindra krijimeve artistike.
Zef Çoba është kompozitor dhe mjeshtër kori shqiptar, i famshem për kompozimin e këngës “Xhamadani vija vija”. Që në fëmijëri ka manifestuar pasionin e tij për muzikën. Ka mbaruar studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë, në vitin 1974, në degën e dirigjimit koral, nën drejtimin e pedagoges Rozmari Jorganxhi.
Pas mbarimit të shkollës, punoi në qytetin e Peshkopisë e më pas në Shkodër me detyrën e përgjegjësit të muzikës, pranë Shtëpive të Kulturës së këtyre qyteteve. Ka studiuar trashëgiminë e pasur folklorike, kryesisht të trevave ku ka punuar, si dhe në mënyrë autodidakte ka zhvilluar studime në fushën e kompozicionit.
Në vitin 1989, me vendim të “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve” të Shqipërisë, del në profesion të lirë si kompozitor. Në vitin 1991 fillon punë në Radio – Shkodra, gazetar i emisioneve dhe programeve muzikore, si dhe kryeredaktor.
Qe nga viti 2003 punon në Universitetin e Arteve Tiranë ne Fakultetin e Muzikës, pedagog në lëndët e dirigjimit koral, klasës korale, muzikë dhome, harmoni etj.
Në vitet 1997 deri 2001, jep kontributin e tij si dirigjent i korit ”Dom Mikel Koliqi” të Kishës Katedrale në Shkodër. Në vitin 2004 drejton korin e Kishës Katedrale “Shën Pali” në Tiranë. Qe nga viti 2010 e ne vazhdim është drejtues i Korit të Kishës së Shën Françeskut në Gjuhadol, Shkodër.
Ka qenë anëtar i bordit të fondacionit SOROS dega Shkodër (1997-2000), anëtar i bordit te fondacionit PRO HELVETIA Tiranë (2002 – 2004), anëtar i bordit CREATIVE CITY me qendër në Shkodër (2004-2008). Që në vitin 1983, është sekretar i muzikës për Degën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Shkodër. Ka kompozuar vepra e pjesë të ndryshme vokale e instrumentale, muzikën e 16 filmave artistikë.
Muzikë për teatër, këngë në stil të traditës së këngës qytetare shkodrane, për fëmijë etj. shumë prej të cilave kanë fituar popullaritet absolut. Ka kompozuar një cikël me romanca vokale të titulluar “Kënga e njeriut”; ciklin me këngë korale për fëmijë “E drejta dhe e shtrembra”, shumë përpunime këngësh popullore për kor, për solistë dhe kor etj. Është autori i këngës “Djali kumbares” me tekst te Fadil Krajes dhe kompozitori i kenges shume te njohur“Xhamadani vija vija”, te cilën e ka kompozuar ne vitin 1993.
Në vitin 1999 ka themeluar në Shkodër Shoqatën MIQTE E MUZIKES “ROZAFA EXPRESSION” e cila ka katër seksione: Korin e të rriturve ”Rozafa Expression”, seksionin e këngëtarëve popullorë “Në lulishten e këngës shkodrane”, grupin vokal të fëmijëve “Loja e notave muzikore” dhe seksionin “Miqtë e Muzikës”. Kori i kësaj Shoqate ka zhvilluar e zhvillon një aktivitet artistik e kulturor, kombëtar e ndërkombëtar, duke marre pjese me sukses ne festivale e veprimtari te rëndësishme..
I eshte besuar detyra për ngritjen e Akademisë se Arteve ne Shkodër, me datën 8.10.2012 me dekret te Presidentit te Republikës emërohet Rektor i saj. Jep leksione pranë Fakultetit te Muzikës te kësaj Akademie, në lëndët e Edukimit Koral dhe harmoni.
Në drejtim, gjithnjë është karakterizuar nga një punë me disiplinë e kërkesa të larta artistike, për këtë në turnetë e zhvilluara si brenda dhe jashtë vendit, është vlerësuar me konsiderata të larta.
Emrat per te cilët qeveria miraton shtesën e pensionit të posaçëm
1-Arqile Lipe
2- Florinda Mazreku
3-Marjana Leka
4-Zef Çoba
5- Suzana Turku
6-Ilir Pojani
7-Haxhi Ballgjini
8- Bashkim Hoxha
9-Sulejman Mema
10-Andrea Marko
11-Robert Kuqo
12-Bujar Luca
13-Pjerin Bushati
14- Shpëtim Kushta
15- Skënder Gjondedaj