Projektligji i ri për lehtësimin e procedurës së nënshtetësisë greke do të diskutohet në Parlamentin grek brenda pak ditësh. Në një deklaratë për median ministri i Brendshëm grek Skurletis ka bërë të ditura detajet e reformës ligjore që siç e ka konsideruar është e domosdoshme.
Konkretisht, projektligji parashikon afat më të shkurtër kohor për përgjigjet, që deri tani arrinte në 6 vjet, si dhe ndryshime themelore në intervistat e detyruara. Lehtësime të posaçme do ketë për të huajt mbi 65 vjeç, ndërsa ministri ka pranuar se as vende si Italia e Gjermania nuk mund të gjejnë akoma zgjidhje për të huajt që nuk dinë gjuhën.
Nënshtetësia greke do mund të merret me 12 vite qëndrim të ligjshëm në vend pas një procedure që do zgjasë e shumta 1 vit, ndërsa dosjet do të jenë të dixhitalizuara për të fituar kohë.
Statistikat
Sipas sekretarit të përgjithshëm për Nënshtetësinë, Lamros Balciotis, në gazetën “Vima”, në vitin 2017 nënshtetësinë greke e kanë përfituar 22.820 shqiptarë me ligjin për lindje ose studime në vend, 2117 shqiptarë të rritur sipas ligjit të nënshtetësisë me vite qëndrimi, dhe 3426 minoritarë grekë të Shqipërisë.
Balciotis theksoi se do eliminohen dhe vështirësitë në përkthimet e emrave që shkaktonin shpenzime e probleme tek emigrantët, sidomos shqiptarët, duke marrë emrin e tij si shembull që në Shqip shkruhet me Ll dhe në greqisht me një L.