LAJM I MIRË PËR SHQIPËRINË/ “Arbitrazhi” pezullon gjobën 110 milion euro në favor të Becchetti-t…

Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit në Uashington pezulloi gjobën 110 milionë euro kundër Shqipërisë për konfliktin me biznesmenin italian, Francesco Bechetti, pasi çështja mund të rishqyrtohet. Pezullimin provizor i gjobës ka ardhur pas ankesës së Qeverisë Shqiptare ndaj vendimit, që ndëshkoi Shqipërinë me gjobën më të madhe në historinë e shtetit shqiptar.

Në 24 prill, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit për konfliktet e investimeve, e njohur ndryshe si ICSID, e gjobiti Shqipërinë me 110 milionë euro për konfliktin me biznesmenin italian, Francesco Beccheti. Por edhe pse vendimi është i formës së prerë, Gjykata e cila është pjesë e bankës botërore, lejon ankimimin kur plotësohen disa kushte të caktuara. Ky është mekanizmi që ka shfrytëzuar Qeveria shqiptare për të kërkuar anulimin e vendimit dhe shfuqizimin e gjobës.

Kërkesa e Avokaturës së Shtetit për anulimin e gjobës është pranuar nga Gjykata në datën 27 gusht dhe menjëherë Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Gjykate ka njoftuar të dy palët e përfshira në konflikt, si Qeverinë shqiptare ashtu dhe biznesmenin Becchetti, për pezullimin e përkohëshëm të ekzekutimit të gjobës.

Sipas njoftimit të publikuar nga gjykata, rezulton se qeveria shqiptare ka ndryshuar dhe studion ligjore që do të bëjë mbrojtjen e Shqipërisë. Nëse në gjyqin e parë Shqipëria u përfaqësua nga 4 avokatë britanike, këtë herë Avokatura e Shtetit ka përzgjedhur Foley Hoag, një studio amerikane nga më të njohurat në botë për mbrojtjen e shteteve në konfliktet gjyqësore.

Kjo është hera e parë që Shqipërisë i pranohet ankimimi i një vendimi të formës së prerë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për konfliktet e investimeve. Pas këtij hapi, gjykata pritet të ngrejë një komision me tre gjyqtarë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në gjyqin e parë. Dhe është ky komision i cili do të vendosë nëse do ta lërë në fuqi apo ta anulojë gjobën. /TCH/

loading...