LAJM I MIRË – Në Universitetin “Luigj Gurakuqi” hapet edhe një program studimi i ciklit të dytë Mastër profesional…

Ndërsa këto ditë po flitet për rënien e numrit të studentëve që e kanë zgjedhur për ta frekuentuar, nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” vijnë edhe lajme të mira. Mësohet se duke nisur nga ky vit akademik, është miratuar hapja e programit të studimit të ciklit të dytë Master profesional në “Shërbimet sociale”, pranë Departamentit Psikologji – Punë sociale, Fakulteti i Shkencave të Edukimit, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Lajmi është bërë i ditur në rrjetet sociale të këtij institucioni, i cili ka publikuar edhe vendimin përkatës së Ministres së Arsimit Evis Kushi. Në njoftimin e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, thuhet:


Njoftojmë të gjithë studentët e interesuar se Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, me anë të Urdhër nr. 334, datë 17.09.2021, ka miratuar hapjen e programit të studimit të ciklit të dytë Master profesional në “Shërbimet sociale”, pranë Departamentit Psikologji – Punë sociale, Fakulteti i Shkencave të Edukimit, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Masteri profesional në “Shërbimet sociale” me 60 kredite, kohëzgjatje 1 vit akademik (2 semestra), në gjuhën shqipe, me formë studimi me kohë të plotë, fillon në vitin akademik 2021 – 2022.
Lidhur me datat dhe dokumentacionin e nevojshëm për aplikim dhe regjistrim në programin e studimit Master profesional në “Shërbimet sociale”, do të njoftoheni në një moment të dytë.