LAJM I MIRË – “Konkurrenca” pezullon rritjen e çmimeve të tarifave telefonike, dyshime për marrëveshje të paligjshme…

Komisioni i Konkurrencës pranë Autoritetit të Konkurrencës ka vendosur ndërprerjen e menjëhershme dhe jo me vonë se 5 ditë nga njoftimi i këtij vendimi, të aplikimit të paketave të reja standarde 30 ditore me parapagesë, për ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom. Kjo masë e përkohshme do të jetë në fuqi deri në përfundim të procedurës hetimore nga Autoriteti për tregun e shërbimeve celulare.Sipas Autoritetit, qytetarë dhe OJF janë ankuar për një rritje të menjëhershme dhe në të njëjtin nivel të të gjitha çmimeve e tarifave nga 3 kompanitë celulare.


Ankuesit pretendojnë se kompanitë celulare kanë rritur çmimet në mënyrë të pajustifikuar, pa informuar konsumatorët e telefonisë celulare dhe në dëm të interesave ekonomike të këtyre konsumatorëve. Kompanitë pretendojnë, në të kundërt, se ato kanë bërë njoftimet sipas rregullave, por Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të ndërmarrë një hetim në treg për të verifikuar se kush ka të drejtë. Ndërkohë, rritja tarifore pezullohet. Konkurrenca bën me dije se në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme të pezullimit, ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom ndëshkohen me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës.

Për t’u bërë pjesë e grupit ShkodraWeb Media mjafton të klikoni: Join Group" dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi ShkodraWeb Media ju mirëpret!