La ndeshjen 10 minuta para përfundimit, çfarë treguan ekzaminimet për dëmtimin e yllit të Kombëtares Elseid Hysaj…

Elseid Hysaj ishte një nga më të mirët në fushë për Napolin në sfidën e djeshme kundër Kaljarit, ku napolitanët arritën të triumfonin me rezultatin e ngushtë 0-1. Ishte pikërisht ylli i kombëtares sonë, që dha pasimin e fundit për Mertens në rastin e golit. Gjithashtu, Hysaj kishte një qasje shumë të mirë në fazën mbrojtëse dhe paraqitjet e tij sa vijnë e rriten në çdo ndeshje.


Por të gjithë u frikësuan në minutën e 80 të ndeshjes, kur iu desh të linte fushën për shkak të dhimbjeve në gjurin e djathtë. Pas kësaj, mediet italiane mësuan se mjekët e ekipit dyshojnë se dëmtimi ka prekur edhe ligamentin e gjurit, çka do të donte një kohë të gjatë rikuperimi. Ekzaminimet janë kryer ditën e sotme dhe kanë qenë shumë pozitive për yllin e kombëtares sonë.

Ai ka pësuar vetëm një goditje, që i ka prekur pjesën e jashtme të gjurit dhe i ka shkaktuar ënjtje. Problem ky që nuk do të vërë në dyshim prezencën e yllit të kombëtares sonë në sfidën e javës së ardhshme kundër Barcelonës në fazën me eliminim direkt në Champions. Madje bëhet me dije se Hysaj mund të jetë i gatshëm për ndeshjen e fundjavës në Serie A kundër Breshias së Emanuele Ndoj.