Seanca plenare për shqyrtimin e dekreteve të Presidentit për shkarkimin dhe emërimin e ministrave të rinj ka nisur me debate. Opozita ka kërkuar kohë për të diskutuar për këto dekrete, ndërsa maxhoranca ka deklaruar se nuk mund të ketë diskutime pasi nuk e përcakton Kushtetuta, duke kërkuar respektimin e rendit të ditës.
Edmond Spaho: Nuk kemi bërë kërkesë për mënyrën e votimit por që shqyrtimi i dekreteve të Presidentit për ministrat të bëhet me debat. Kemi depozituar emrat për diskutime.
Petrit Vasili: Po prisnim të njoftonit listën e diskutantëve sipas rregullores. Në përmbushje dhe të procedurave kërkoj dhe dua të di arsyet se përse nuk u njoftua nga ana juaj në përputhje me rregulloren për këtë pikë.
Taulant Balla: Në procedurë 27 vite parlamentare kur dikush ngre një shqetësim për procedurë, procedura ka një diskutim pro dhe një diskutim kundër.
Që kur çohemi këtu në emër të rregullores duhet që dikush të citojë një nen të rregullores. Thoni nenin e rregullores. Ne shkollëpakët, ti shkollëshumi…Ta mbarojmë ne shkollëpakët.
Ka nen për emërim shkarkim të qeverisë kur bëhet për mocion mosbesimi. Jeni njoftuar dhe keni qenë dhe dje për urdhrin e thirrjes së seancës dhe keni pasur mundësi. Kjo nuk është seancë e jashtëzakonshme është sesion i jashtëzakonshëm. Kryeministri i është drejtuar Kuvendit. Në bazë të këtij sesioni të jashtëzakonshëm ku kryeministri ka kërkuar votimin e dekreteve, autoriteti i vetëm, kryetari i Kuvendit ka thirrur seancën me këtë rend dite, votim i dekreteve. Debat kur të doni si ta doni, bëni kërkesë me mocion, por ne kohë për të humbur me ju me llogje pazari sa herë t’iu teket ju nuk ua japim dot.
Kuvendi në vijim shqyrtoi dhe miratoi dekretet e Presidentit Meta për shkarkimin e 6 ministrave dhe zëvendëskryeministres, si dhe për emërimin e 7 ministrave dhe zëvendëskryeministrin.
Mbledhja e seancës së Kuvendit erdhi pak ditë pas ndryshimeve që ndodhën në kabinetin qeveritar dhe ishte kërkuar nga kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit, mbledhja e parë për këtë vit duhet të niste në datën 21 janar.