
Gjyq në mungesë për Sali Berishën! Ky është deri tani lajtmotivi i Kuvendit Kombëtar të 18 dhjetorit 2021, i thirrur nga Lulzim Basha dhe i zhvilluar në një sallë me kapacitet maksimal rreth 220 vende që duhet të mbajnë vullnetin e mbi 5 mijë delegatëve sipas organizatorëve. Fjala e mbajtur nga Lulzim Basha, ishte refreni që përësritën thuajse të gjithë ata që morën fjalën nga foltorja e këtij kuvendi.
Sali Brishës iu bë gjyq në mungesë sepse ai nuk ishte i pranishëm. Por të gjithë ata që folën, evidentuan disa gjëra të thjeshta për tu kuptuar. Lulzim Basha nuk ka qenë drejtues i PD- së këto 8 vite. Në rastin më të mirë, siç tha një delegat në fjalën e tij, ka qenë një dualitet drejtimi në PD. Më së paku, Lulzim Basha doli genjeshtar. Më shumë se njëherë ai ka pohuar se të gjitha vendimet në PD janë marrë nga ai në këto 8 vite.
Rreshtimi në një linjë i të gjithë oratorëve, evidentoi indirekt edhe një fakt tjetër, kokëfortë. Lulzim Basha erdhi në krye të PD- së para 8 viteve me vullnetin e paraardhësit Sali Berisha. E për këto 8 vite, PD e Basha nuk arritën të fitonin pikërisht për arsyen që u kthye në refren opozitar nga Edi Rama: Fajin e ka Saliu! 22 vite drejtim i PD- së nga Berisha, direkt apo me mëkëmbës kur ishte në presidencë, sot u shumëzuan paturpësisht me zero.
Sot Sali Berisha është komunisti, penguesi i PD- së për të ardhur në pushtet këto 8 vite, është ai që ndërtoi “kultin e individit”, ai që miratoi e nuk abrogoi ligjin 7501, është ai që stimuloi piramidat, është përgjegjësi për 1997- ës e shumë etiketime si këto. Praktikisht, vitet e drejtimit të PD- së nga Berisha, u shumëzuan me zero me një të rënë të lapsit. Edhe me zërin e ngjirur të kryetarit Basha, në këtë pozicion sipas atyre që ishin në sallë.
Personalisht, simpatia ime publike për Sali Berishën ka marrë fund diku nga nëntori 1994, kur tentoi ti imponojë shqiptarëve modelin e tij të kushtetutës autokrate. Si të gjithë bashkëmoshatarët, 17- 18 vjeçarët e 1990- ës, edhe pse na mungonte natyrshëm orientimi politik, ishim në krah të Lëvizjes së Studentëve, PD- së, rrjedhimisht edhe Hajdarit e Berishës. Për këtë shkak, kemi qenë pranë PD- së e sidomos FRPD- së. Por anjëherë nuk kam qenë fans publik i Berishës as në opozitë e as në pushtet, pavarësisht se e konsideroj si politikani mbase më karizmatik i 31 viteve.
Përtej kësaj, kam patur kurjaon ti njoh shumëçka si arritje të PD- së por edhe Shqipërisë nën drejtimin e tij. Pavarësisht dritëhijeve, roli i tij në 1990- ën nuk mund të mohohet dhe është unikal. Jetëgjatësia e suksesi në politikë, janë një tjetër meritë e tij si politikan. Nga ana tjetër, duhet pranuar se politika është karizëm por edhe forcë. Këto po i demonstron edhe sot me lëvizjen e tij për rikthimin në krye të PD- së.
Por ka edhe një Berishë “tjetër” që në fakt më mirë se askush, e njohin apo duhet ta njohin ata që ishin në sallën e Kuvendit Kombëtar të 18 dhjetorit. Berisha i çoi apo i mbajti në pushtet demokratët për 4 mandate (1992, 1996, 2005, 2009) pa folur për garat e qeverisjes vendore ku edhe aty identifikohen shumë fitore, sidomos në qytete të rëndësishme.
Është e turpshme ti shumëzosh me zero arritje të cilat kanë patur ndikim direkt në jetën e shqiptarëve, siç janë liberalizimi i vizave, antarësimi në NATO, aplikimi për statusin e vendit kandidat në BE, mijëra kilometra rrugë, shkolla, spitale, qendra shendetësore etj. Pavarësisht se sot Berisha shpallet zyrtarosht “armik” ose “e keqja e madhe” e PD- së së drejtuar nga Basha, vetë ky nuk duhet ta lejojë këtë linçim të paraardhësit.
Ndërsa në Pallatin e Kongreseve është zhvilluar në Kuvend Kombëtar, antarësia janë angazhuar në votimin e referendumit për shkarkimin e Lulzim Bashës. Deri tani, flitet për një pjesëmarrje në votim të rreth 34 antarëve të PD- së deri në orën 15.00 dhe sipas gjasave, numri i atyre që votuan për shkarkimin e Bashës, do të jetë më i lartë se ai i mbështetësve të tij në votimin e 13 qershorit për rikonfirmimin si kryetar.
Sot Berisha u linçua nga Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit, mund të kontestohet edhe Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit “me letra” që PD- ja zyrtare i rregullon si ti duhen. Por si mund të kontestohet, anulohet apo bëhet “nul” votimi i mbi 35 antarëve të PD- së? Apo do të dilet e të thuhet se nuk ishin demokratë por socialistë ata që votuan sot? Sërish do të gjendet apo përdoret ndonjë procedurë? Apo që të gjithë do të shpallen antiamerikanë?
Vertetë që demokracia është procedurë por është edhe votë. Madje të dyja janë të ndërlidhura fort. Procedura është në thelb rregull, ligj. Por ligji miratohet nga deputetë e ata zgjidhen si të tillë përmes votës së qytetarëve. Ata që mendojnë se procedura prevalon mbi votën, vullnetin e njerëzve, e kanë shumë gabim. Herët e vonë, do ta marrin përgjigjen. Sigurisht me votë! /Nga Blerti DELIJA/




