Kush po luan me Vllazninë tani në prag të privatizimit…?!

Shënim i ShkodraWeb

Vllaznia gati 100- vjeçare është në prag të turpërimit! Duket se përvjetori një shekullor i krijimit si klub në 2019-ën do ta gjejë një kategori më poshtë. Unë por edhe mijëra të tjerë urojmë që jo, por deri më tani po ecet në atë drejtim, në “shinat” që nuk është shumë e qartë se kush i ka shtruar…

Që nga viti 2011 kur ekipi kaloi në administrimin e Bashkisë Shkodër, çdo vit kemi luftuar për mbijetesë. Gjithmonë jemi endur në ujëra të turbullta, por këtë herë duket se uji na ka ardhur deri tek hunda. Bashkia është sulmuar çdo herë, edhe pse ka hedhur miliarda lekë tek financat e ekipit. Sic e pohuan edhe zyrtarë të Klubit në mbledhjen e fundit të Asamblesë së SHA-së, vazhdon të jetë ekipi më i rregullt për pagesat, por edhe buxheti vjetor në total nuk është në nivelin e garantimit të mbijetesës. Pra, jemi diku pak mbi mesin e renditjes së ekipeve nga ana financare, edhe pse jemi të dytët nga fundi për rezultate.

Ardhja e Ernest Gjokës në krye të ekipit pas largimit të Armando Cungut, shihej si një mundësi për ringritje. Por sërish, duhej pritur me durim merkatoja e janarit që vetë traineri të kishte mundësi të përforconte ekipin sipas ideve të tij. Të parafundit në renditje, Bashkia, Klubi e tifozët pritën me durim.

Merkatoja e janarit u bë sipas asaj çfarë kërkonte Gjoka. U bënë disa blerje, të cilave i’u përgjigj financiarisht Bashkia e Shkodrës. Debutimi i Vllaznisë së “re” ishte i rëndë, me një humbje 1-3 në “Loro Boriçi” me Kukësin. Pas saj, Gjoka premtoi se nga ndeshja në ndeshje, ekipi do të paraqitej më mirë. Madje, duke nisur nga ndeshja me Skenderbeun, sërish në “Loro Boriçi”. Nuk ka shumë që ka mbaruar kjo ndeshje dhe tashmë e dimë rezultatin. Tjetër humbje, madje me shifra më të thella: 1- 4! Pa qënë specialist, ajë që shqetëson këdo është mungesa e stabilitetit, e krijimit të një formacioni të qëndrueshëm, aq më shumë kur tanimë Gjoka e njeh ekipin mjaft mirë. Vllaznia bën gabime elementare të mbrojtje dhe tashmë, nuk ka kush shënon golin. Nuk duhet të jesh specialist për të kuptuar këtë, siç edhe nuk kemi në mesin e fushës një person që qarkullon topin e lidh lojën në mes reparteve. Por më kryesorja, është mungesa e një lideri në ekip, pesha e të cilit të ndjehet gjatë 90 minutave në tapetin e gjelbër.

Bashkia Shkodër do të vijojë të shenjestrohet, edhe pse ka përshpejtuar maksimlisht procedurën e privatizimit të ekipit. Por çuditërisht, pikërisht në këtë fazë të shumëkërkuar nga sportdashësit, specialistët e bisnesi, Vllaznia rrezikon më shumë se asnjeherë të rrëzohet një kategori më poshtë. Nuk është e vështirë të kuptohet se një klub jashtë Supërligës, do të ketë një vlerë më të vogël në blerjen e aksioneve kur të nxirret në shitje. Pra, nësë sot vlera e aksioneve të akumuluara në vite mund të jetë përafërsisht 3 milion euro, një Vllazni në Kategorinë e Parë do të kushtojë më pak, ndoshta edhe më paë se gjysma e kësaj vlere. Po ashtu, ka edhe një skemë tjetër, atë të falimentit, duke ditur problemet jo të vogla financiare të Klubit, sidomos borxhet e trashëguara në vite. Falimenti do ti hapte rrugë ndoshta edhe shndërrimit të Klubit nga SH në Shoqatë, që do të lehtësonte edhe me shumë kalimin nga Bashkia në duart e bisnesit.

Një gjë mendoj se është e qartë sot. Vllaznia me aq sa ka mundësi, po luan në fushën e blertë. Por kush po luan me Vllazninë në prag të privatizimit, kjo nuk po zbulohet dot… Edhe pse ka disa hamendësime!