
Po qarkullon në media prej orësh informacioni për mbajtje nën mbikqyrje nga Policia e Shtetit të atij që konsiderohet “Dëshmitari X” në audio- përgjimin e Agron (Geron) Xhafaj, vëllai i ministrit të brendshëm Fatmir. Madje, disa media kanë përcjellë informacione edhe për shoqërim të këtij personi, i cili emrine vertetë e ka Albert.
Po kush e zbuloi kaq shpejt identitetin e “Dëshmitarit X”, që sipas mazhorancës e vetë kryeministrit Rama, është një aktor që po përpiqet të cënojë përmes të vëllait imazhin e ministrit të brendshëm të Shqipërisë. Mundësitë e dekonspirimit të këtij personi janë të pakta. E para dhe mbase më e mundëshmja është që “Dëshmitari X” të jetë identifikuar lehtësisht nga ai që ka komunikuar me të dhe mund të jetë takuar, siç pretendon opozita. Pra, Agron (Geron) Xhafa që sipas PD-së, është personi që dialogon me “Dëshmitarin X” në audio- përgjimin e servirur për publikun.
Mundësia e dytë, është të ketë rrjedhje nga Prokuroria. Organi i akuzës sekuestroi dje materialin audio nga selia e PD-së dhe siç është e kuptueshme, duhet të jetë shumë më i gjatë nga sa u publikua nga selia blu. Mbase prokuroria ka arritur ta identifikojë “Dëshmitarin X” dhe kështu ka njoftuar policinë që ta gjejë dhe ta sjellë për verifikime më të shumta pranë organit të akuzës. Nësë do të ishte kështu, i bie që opozita ka patur të drejtë dhe autenticiteti i audio- përgjimit nuk vihet në dyshim.
Mundësia e tretë, mund të jetë një dekonspirim nga brenda opozitës. Pra, dikush që ka patur akses në gjithë këtë mesele, ka informuar policinë, në pamje të parë duke “tradhëtuar” PD-në, por që në fakt dëmton më shumë ata që janë mbeshtetës të falsifikimit të audio- përgjimit. Në këtë “skenar”, nuk mund të hidhet apriori poshtë edhe teza e shumëpërfolur e përgjimit të opozitës, përmes të cilit mund të ketë rrjedhë informacion edhe për “Dëshmitarin X”.
Duke mrrë parasysh kohën e shkurtër që u desh për idenitifikimin e “Dëshmitarit X”, sipas gjasave ka qënë vetë Agron (Geron) Xhafaj që e ka identifikuar lehtësisht. Por ajo çfarë është e sigurtë 100%, akoma pa nisur hetimi është se audio- përgjimi do të rezultojë fals. Pra, pas përgjigjeve që i erdhën kryeministrit Rama nga një “laborator” i huaj për autenticitetin e audio- përgjimit, nuk ka asnjë mundësi që Prokuroria me mjetet e saj shumë më “primitive” se një laborator prestixhoz, ta nxjerrë audio- përgjimin si autentik- të pamanipuluar nga opozita.
Pas kësaj, siç edhe ka ndodhur në të kaluarën, do të zbulohet ndonjë “grup armiqësor”, ku bashkëpunimi brenda vendit me ata jashtë vendit, tentuan destabilizimin. Por ky “pllan armiqësor” u zbulua nga “partia tënë” dhe tradhëtarët “muarën” dënimin e merituar. Fatmirësisht, pas 1990-ës për këto raste, nuk ka më dënim me vdekje. E si thonë në Shkodër, “sa është fryma, është uzdaja”. /Nga Blerti Delija për ©ShkodraWeb/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!