UDHËZIMI – “Kush kandidon për deputet, të japë dorëheqje si kryetar i PD”, ja si përgjigjet kryedemokrati i Shkodrës Amuli

Kush do që të kandidojë për deputet duhet të zhvishet nga detyra e kryetarit të degës së Partisë Demokratike në rrethe. Është ky udhëzimi i ri i selisë blu e cila i ka vendosur edhe një afat, të dorëhiqen brenda 5 ditëve nga miratimi i udhëzimit. Prej ditës së enjte e deri më sot kryetarët e kanë marrë një vendim tashmë. Por sa të gatshëm janë të besuarit e strukturave të heqin dorë për ambicie politike nga pozicioni aktual në parti?

Kreu i Partisë Demokratike në Shkodër, Xhevdet Amuli thotë se edhe nëse do të propozohet nga anëtarësia, do të çojë deri në fund mandatin 4- vjeçar që i është besuar nga strukturat e Partisë Demokratike në bazë.


“Nuk do të dorëhiqem nga pozicioni në degën e PD në Shkodër. Edhe nëse propozohem nga anëtarësia, heq dorë menjëherë. Do ta çoj deri në fund mandatin time 4- vjeçar që më është besuar në krye të degës së PD në Shkodër”, tha Amuli.

Xhevdet Amuli dhe Lulzim Basha

“Nuk e kam menduar që të jap dorëheqjen! Kam angazhim maksimal në drejtimin e degës së PD në Vlorë. Kam angazhimin maksimal në mobilizimin e të gjithë burimeve tona njerëzore në nxitjen e mbështetjes për aksionin opozitar. Më shumë sesa për funksionet individuale, jam i angazhuar në politikë për të realizuar një ndryshim të madh që presin shumica e demokratëve. Rezultati pozitiv në Vlorë është Sfida ime e vërtetë”, u shpreh Genc Deromemaj.

Ai që ka konfirmuar dorëheqjen deri tani është kryetari i Partisë Demokratike në njësinë nr5, Ndricim Babasi, i cili thotë se do t’i nënshtrohet rregullave të reja të diktuara të enjten në mënyrë zyrtare, por sipas tij, të njohur më herët për krerët e degëve.

“Përsa i përket kandidimit të krerëve të degëve, në këndvështrimin tim, është shumë normale që t’i nënshtrohemi procesit të votimit në strukturë në mënyrë të barabartë me kandidatët e tjerë që vijnë nga baza. Personalisht kam qenë dhe jam dakord me këtë udhëzim për Kryetarët dhe Sekretarët e degëve në momentin që ata shprehin dëshirën për të qenë pjesë e garës. Shpreh dëshirën time që të jap kontributin tim nëse Kryesia e Partisë Demokratike e vlerëson që i plotësoj kushtet për të qenë pjesë e garës vendore dhe qendrore”, tha Babasi.

Me këtë proces, Partisë Demokratike do t’i duhet që para se të shkojë në garë elektorale, të gjejë garuesit e denjë përballë kundërshtarëve politikë. Udhëzimi do të lërë jo pak degë në rrethe pa kryetar e kjo duket se është edhe formula që do të riformatojë strukturat e Partisë Demokratike. /Shqiptarja.Com/

Copyright © ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Media