Kush janë autorët e dyshuar, mbyllet dosja për atentatin ndaj shefit të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe

Prokuroria e Shkodrës ka mbyllur hetimet ndaj sulmit me armë zjarri që la të plagosur rëndë shefin e Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, Mentor Hasanaj dhe babanë e tij, Xhelal Hasanaj. Me firmën e prokurores Shqiponja Mille, dosja ka përfunduar në gjykatë duke akuzuar si autorë të ngjarjes shtetasit Ilirjan Hasanaj dhe Verzan Bajrakurtaj.

Dy të akuzuarit për ngjarjen akuzohen për “Vrasje në rrethana cilësuese” mbetur në tentativë dhe “Mbajtje pa lejë të armëve të zjarrit”. Ngjarja e rëndë është regjistruar mesditën e datës 11 dhjetor të vitit 2020 në afërsi të bustit të “5 heronjve të Vigut” në rrugën Shkodër-Koplik.Nga sulmi me armë, 70-vjeçari Xhelal Hasanaj mori plagë më të rënda, ndërsa djali i tij, Mentor Hasanaj, u plagos më lehtë.


Në automjetin ku udhëtonin dy të plagosurit ishte edhe bashkëshortja e 37-vjeçarit, e cila fatmirësisht i ka shpëtuar breshërisë së plumbave. Mësohet se të tre këta shtetas ndodheshin në një mjet të Policisë Bashkiake, ndërsa po shkonin drejt Koplikut.

Papritur autorët kanë ardhur me një motor dhe nga një largësi fillimisht prej rreth 25 metrash kanë qëlluar në drejtim të tyre. Më pas teksa janë afruar kanë qëlluar me breshëri ndaj familjes Hasanaj.

Menjëherë është bërë transporti i dy të plagosurve drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore e më pas u transportuan drejt Tiranës te Spitali i Traumës për mjekim më të specializuar. Katër ditë pas ngjarjes përfundoi në pranga 19-vjeçari Ilirjan Hasanaj dhe bashkëpunëtori i tij. I riu pranoi krimin në Polici, duke deklaruar se ishte ai që qëlloi me armë zjarri ndaj shefit të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe.

“E kam qëlluar Mentor Hasanajn, por e kam bërë pa paramendim. E kam parë duke kaluar në rruge dhe i jam vënë mbrapa. Armën e kam pasur me vete sepse ka pasur disa kohë që e kisha. Në ato momente kam qenë disi nën ndikimin e alkoolit. Arsyeja e plagosjes lidhet me një problem pronësie tonin. Jam penduar maksimalisht për çfarë kam bërë”, është shprehur Ilirjan Hasanaj.