Lajm që Baldo Ranieri i ka dërguar sms Voltana Ademit dhe Astrit Gjyrezit dhe ata nuk i qënkan përgjigjur?! Dhjetra screenshot-e celularësh për të vertetuar se Baldo Ranieri ka dërguar sms dhe po kaq screenshot- e nga ana tjetër për të vertetuar se nuk është e vertetë: administratori i ka kthyer përgjigje?!
Me hallet e shumta që ka sot Vllaznia, nuk do ja vlente të harxhoheshin as dy rreshta për këtë “ngjarje”, por në disa raste “ferra e vogël, fsheh lepurin e madh”. Për ata që e kanë harruar, Baldo Ranieri erdhi tek Vllaznia në korrik 2014, si pjesë e paketës “Gea Sport” që mori me qera Klubin nga duart e Bashkisë Shkodër. Largimi i tij për mungesë rezultatesh erdhi në ditët e para të marsit 2015 për tu zëvendësuar nga Luan Zmijani. Ky ishte kontributi “i jashtëzakonshëm” i Baldo Ranieri tek Vllaznia, pa folur për karrierën e “pasur” si trainer që kishte para se të vinte në Shkodër. Për të kuptuar më mirë, Roberto Nava e solli si trajner të Vllaznisë dhe Ranieri nuk linte studio e mikrofon televiziv shqiptar pa vjellë mbi të për presidentin ad- interim të kuqebluve. Tek Vllaznia kishte vetëm disa muaj, ndërsa me Nava-n siç deklaronte vetë, bashkëpunonte prej vitesh.
Baldo Ranieri paska dashur të jepte kontribut për Vllazninë, ta shpëtonte dhe ta mbante në Supërligë. Po a e dini sa dhjetra apo qindra individë, trajnerë ose jo, brenda apo jashtë Shkodrës, kanë patur, kanë apo do të kenë një ide për një Vllazni më të mirë? E që ndoshta kanë më shumë merita se Baldo Ranieri e shumë të tjerë si ai. Pse Vllaznia duhej ti rrinte “pronto” këtij trajneri që nuk tregoi asgjë mbi trajnerët shqiptarë, por u shkarkua për rezultate të dobëta? Pse duhej të merrej në konsideratë pasi kishte dështuar një herë?
Baldo Ranieri kërkoi të angazhohet në Superligë edhe pasi iku nga Vllaznia. Madje, duke kërkuar promo mediatike edhe nga gazetarë e media sportive. Nuk pati fat as në Shqipëri e as jashtë saj, në nivelin që ai pretendonte, kuptohet. Çdokujt mund ti lejohet të aludojë për trajnerët në vite të Shqipërisë, por ne që kemi qenë gazetarë, i kemi takuar e biseduar zyrtarisht e privatisht, nuk na lejohet. Ne i kemi të jetuara ngjarjet, personazhet, sukseset e dështimet, nuk mund të na i tregojë askush, as Baldo Ranieri me screenshot-e sms-shë. Unë kam përshtypjen që nuk krijojnë as audiencë apo klikime. Qofsha i gabuar, por kështu mendoj! /Shënim i ShkodraWeb/