Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji është kërcënuar me jetë se do tëeleminohet me snajper nga një ish efektiv Policisë së Shtetit. Salianji ka marrë një letër nga burgu i Fushë Krujës, ku paralajmërohet se do “ta eleminojnë me snajper”.
Letra i është dërguar Salianjit pak ditë më parë, dhe paralajmërohet se është vënë në shënjestër të një atentati. Zarfi me letrën ku jepen detaje nga atentati i supozuar, ka mbërritur në adresën e deputetit demokrat në datën 31 tetor 2018, në selinë e PD.
I burgosuri që e ka paralajmëruar deputetin quhet, Agim, i dënuar me 24 vite burg për vrasje. Në letrën e tij ai shkruan se deputeti demokrat do vritet me snajper nga një ish-punonjës policie, i quajtur Dorian Duli, 38-vjeç, me origjinë nga Parruca e Shkodrës, i cili ka qenë i dënuar, por është liruar nga qelia në 2 janar të vitit 2016.
Pas publikimit të një letra ku kërcënohej me jetë nga burgu, ka ardhur dhe një reagim nga deputeti i PD, Ervin Salianji. Në një prononcim Salianji thotë se rasti po ndiqet nga institucionet dhe se i kishte parashikuar që mund të ndodhnin gjëra të tilla por se do vazhdojë denoncimet.
“Ju keni marrë sot info për këtë çështje por unë kam kohë që kam dijeni dhe nuk e kam gjykuar si çështje publike. Madje bërja publike i jep pike pikërisht këtyre formave të intimidimit apo intrigës që të ushtrohet presion nëpërmjet përdorimit të delikuenteve.
Në dijeninë time rasti po ndiqet nga institucionet.
Personalisht të gjitha këto i kam parashikuar dhe nuk më bëjnë përshtypje, çfarëdo qoftë sajesë e qeverisë apo përpjekje delikuentësh. Nuk më bën asnjë përshtypje dhe siç mund ta keni ndjekur kam vazhduar denoncimet e krimit edhe në majat më të larta të pushtetit”, tha deputeti i PD.
Kush është Dorian Duli, më poshtë komunikata e Policisë së Shtetit e datës 19 dhjetor 2014 që njofton arrestimin e tij
Shkodër, arrestohet Dorian Duli, person me precedentë kriminal brenda dhe jashtë vendit. Sekuestrohen armë
Strukturat e Policisë së Shtetit, gjatë ditës së sotme finalizuan me sukses një operacion policor, duke mundësuar kapjen e shtetasit Dorian Duli, 36 vjeç, banues në Shkodër, person me precedentë të rëndë kriminalë brenda dhe jashtë vendit, si dhe ekzekutimin e letërporosisë së autoriteteve belge të Gjykatës së Shkallës së Parë Luvër, për kontrollin e banesës së këtij shtetasi, me synim sekuestrimin e pasurive të vjedhura në Belgjikë.
Dyshohet se ky shtetas është pjesë e një grupi kriminal që ka kryer vjedhje me armë si jashtë dhe brenda vendit, grup i cili u godit në muajin Tetor 2014, në bashkëpunim me autoritetet belge. Po ashtu dyshohet që ky shtetas të këtë precedentë të rëndë kriminalë dhe në shtetin grek.
Ndërkohë Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka lëshuar vendimin nr.122, datë 12.12.2014 mbi lejimin e ekzekutimit të letërporosisë së autoriteteve Belge për kontrollin e banesës së këtij shtetasi.
Shtetasi Dorian Duli, në momentin që forcat e policisë po ushtronin kontroll në banesën e tij ka tentuar të largohet nga pjesa e pasme e banesës private, por është kapur nga punonjësit e policisë.
Gjatë kontrollit në çantën e tij të shpinës nga strukturat e policisë janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
– tre armë zjarri pistoletë të tipit TT, CZ, dhe një pistoletë me mulli me mbishkrimin Smith veson,
– një armë gjahu Superpost me tytë të shkurtuar, tre krëhëra me fishekë, 80 copë fishekë kalibër 9 mm dhe 12 mm.
Armët e sekuestruara do ti nënshtrohen ekspertimeve të mëtejshme pranë laboratorit kriminalistik.
Në ambientet e brendshme dhe të jashtme të banesës, gjatë kontrolleve të ushtruara, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
– 13.000 mije euro të prerjeve të ndryshme,
– 700 mijë lekë të reja,
– disa ora dorë të shtrenjta, unaza material argjendi, disa aparate telefoni, kamera dhe aparate fotografike te markave te ndryshme,
– pajisje shërbimi policie si jelek antiplumb, jelek policie, pranga, shkop gome, një tabelë me mbishkrimin Ministria e Rendit Publik – Policia Rrugore etj,
– një armë gjahu e markës Benelli, kalibër 12 mm dhe një gjerdan me fishekë të kësaj arme gjahu,
– një automjet tip Land Crysler,
– një automjet tip Volksvagen Golf – 4,
– si dhe një motoçikletë pa targa.
Strukturat e Policisë së Shtetit, po punojnë në vazhdimësi për dokumentimin e plotë të veprave të tjera penale të dyshuara të kryera nga ky shtetas.
Materialet proceduriale në ngarkim të këtij shtetasi, i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Shkodër si dhe Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë, lidhur me ekzekutimin e letërpororisë mbi pasuritë e sekuestruara.