Boll me hipokrizinë tuaj ndaj kolegut dhe mikut Marko Bello! Lëreni të prehet i qetë! Është shumë e vërtetë që Marko ishte një deputet diplomat, ministër dhe profesor me vlera dhe kontribute të veçanta. Por pasi e shpallët “Armik të Partisë” asnjë mundësi nuk i dhatë që ti sherbente vendit të tij me dinjitet, integritet dhe profesionalizëm.
Kështu jeni sjellë me shumë shqiptarë të mirë, thjeshtë dhe vetëm se i konsideroni armik të partisë. Pas nenit famëkeq 24/1 në ’92 që largoi nga sherbimi publik disa mijëra shqiptarë të ditur dhe me integritet, periudha juaj e “Rilindasve të babëzitur” do të jetë periudha më e zezë në shkatërrimin e institucioneve të shtetit dhe në largimin nga politika dhe administrata publike të kujtdo që ju pengon të vidhni deri në pangopësi.
Para 30 diteve pushuat nga puna deputetin dhe ish- gazetarin luftarak e partriot të qarkut të Vlorës Adrian Myslymaj, thjeshtë për një sms që i nisi Taulant Ballës. U angazhua drejtpërdrejt kryerilindasi Rama dhe e kërcënoi me pushimim nga puna.
Minstrja e Financave Denaj brenda 48 orëve dhe jashtë çdo procedure ligjore e pushoi nga puna. Heshti Gramozi mentori dhe promovuesi i tij politik. Heshti bashkëluftëtari e bashkëgazetari Braçe. Heshti Pandi dhe të gjithë të tjerët.
Ju nuk e kuptoni se sa shumë pushteti absolut ju ka korruptuar, ose ndoshta babëzia ka qenë motivi i vetëm në jetë. Ju përligjni çdo vjedhje dhe abuzim sepse çdo njeri që ju denoncon i suleni me gjithë arsenalin shpifës për ta vrarë, jo vetëm shpirtërisht.
Boll me pangopësinë tuaj!
Boll me hipokrizinë tuaj!
Boll me vuajtet e pa fund që me arrogancën dhe babëzinë tuaj po i kushtoni shqiptarëve të varfër. Për kategorinë e arrogantëve dhe të babëziturëve populli ka një mallkim nga shpirti : “Kurrë mos u ngopshi”!!! /Nga Arben MALAJ/