
Nuk dua ta besoj se ka qenë Policia e Shtetit ka shpërndarë për mediat lajmin për kapjen e shurruesit të derës së Kryeministrisë. “Policia që duam” nuk mund ti kushtojë rëndësi një episodi të tillë, në një protestë ku gazi lotsjellës dhe me pasoja të dukshme, u hodh me metër kub në mes të protestuesve të opozitës. Pa tjetër do të jetë ndonjë koleg gazetar (sipas gjasave, përkrahës i opozitës) që ka hapur i pari lajmin për të “prishur” imazhin e Policisë së Shtetit.
Sepse nuk ka asnjë sens të vihet në pranga i riu shkodran. Për disa arsye në fakt. Përmes fotove dhe video prokuroria nuk mund t’ia vertetojë gjykatës së djaloshi ishte duke shurruar apo përmjerrë derën e kryeministrisë. Sipas gjasave, “skena e krimit” duhet të jetë pastruar bashkë me bojën e zezë nga muret e kryeministrisë. Nga ana tjetër, “mjeti” shurrues nuk shihet në asnjë pamje video apo foto. Pa parë këtë “mjet” në veprim, gjykata nuk mund të vendosë arrestin për shkodranin.
Por edhe nëse vertetë ai, po kryente një nevojë fiziologjike. Ai duhet marrë shembull pasi gjen një vend, ku kryen nevojat e tij pa bërë “veprime të turpshme” në publik, pa demonstruar “mjetin” shurrues. Procesi fiziologjik, është fotografuar, filmuar e publikuar edhe nga bashkia e Lali Erit, por në asnjë rast nuk kemi mësuar se përmjerrësit janë prangosur. Në rastin më të keq, janë diskretituar në rrjete sociale dhe janë…gjobitur.
Edhe në rastin e të riut shkodran, gjithmonë nëse ai është vertetë personi që shfaqet në pamjet e transmetuara LIVE, gjoba është 200 mijë lekë, faturë tanimë publike që Bashkia Tiranë ia ka faturuar Partisë Demokratike. Gjykata nuk mund të pranojë/ lejojë që për një “shkelje administrative”, të ketë dy ndëshkime: edhe gjobë, edhe arrest.
Nuk është e vështirë të kuptohet se gjetja e “shurruesit të Kryeministrisë” ka qenë prioritet i Policisë së Shtetit. Madje, më shumë edhe se gjetja e grabitësve dhe 6.5 milionëve të Rinasit. Dhe arrestimi brenda 4 ditëve i të riut shkodran, e verteton më së miri këtë.
Kuptohet se Edi Ramës, më shumë se boja e zezë në muret e Kryeministrisë, më shumë se “dhunimi” i policëve në protestë, madje më shumë se “trsihtimi” për qytetarët nga gazi lotsjellës që u hodh pa kursim, i ka djegur pshurrja e Kryeministrisë. Është e qartë se nuk është hera e parë dhe e fundit që një protestues, në kushtet e “emergjencës fiziologjike”, ka shurruar dhe do të shurrojë i mbështetur edhe në murin e Kryeministrisë. Por ajo që djeg shumë, është transmetimi LIVE dhe ritransmetimi i panderprerë brenda e jashtë vendit, i shurrimit /pshurrjes së Kryeministrisë nga një protestues.
Sepse simbolika është shumë e fortë, mesazhi shumë domethënës. “E rregullove traktorin…tani bëji shurrën bahçes!”, është batuta e një filmi shqiptar dhe Edi Rama si i apasionuar pas kinematografisë, do ti ketë ardhur në mendje sapo ka parë të riun që shurron në derën e “kështjellës” së tij të blinduar.
Nga sot, protestuesit e opozitës, kanë një “mjet” që mund ta irritojë kryeministrin më shumë se mijërat para zyrës së tij. Mjafton që masivisht, ta nxjerrin “mjetin” dhe të mbështetur pas mureve të Kryeministrisë, ta shurrojnë masivisht. E mos harroni, shurra ka edhe elementë dizinfektues, edhe gërryes. Në mos në mure, në ndërgjegjen e atij që fshihet pas tyre… /Nga Blerti DELIJA/
P.S. Kërkojmë ndjesë nëse ndokujt i duken jashtë etike termat e përdorur në këtë shkrim, por janë të gjitha të përfshira në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe që mund ta konsultoni edhe online në fjalori.shkenca.org.