Kur aktori shkodran Sulejman Dibra kërkonte mish për dasmën e tij… çfarë ndodhte në dhomën e pushimit në Teatrin “Migjeni”

Nga Ymer BALA
Aktor

Edhe pse kanë kalue shumë vjet, shpesh më kujtohet ajo dhoma në teatër ku mblidheshin të dyja trupat çdo mëngjes! Shumë prej kolegve të mi nuk jetojnë por kujtimet mbesin sepse ishim shumë të lidhun me njeni-tjetrin. Pushofshin në paqe!


…Atë mengjes, shoku im i shkollës për aktrim e kolegu im Sulejman Dibra, të cilin e thërrisnim Sulë në dashni, hyni tek Dhoma e Pushimit, pa pershendetë as “nadja e mirë” e as “si keni ndjehë”, asnjëri!

Mbasi zuni vend në nji qoshe, e gërgau Bep Shiroka:

-He more Sulejman Aga, pse nuk po na flet? A të asht mbytë ndonji barkë në det?

Bepi tërhoqi vemendjen e të gjithëve. Na kthyem krenat e shikimet tona kah Sula. Pas nji heshtje, Sula tha:

-Lene Bep se po më losin mendt’ e kresë…

Bepi reagoi fill:

-Çka ka ndodhë mor Sulë?! Më fal se unë…!

-Jo mor Bep nuk kam gja as me ty e as me ndonjenin prej jush, por kam nji hall timin e të familjes sime…Edhe 10- të ditë martohem e hala s’e kam sigurue mishin për darsem, prandaj.

Na u preme të gjithë. Na erdhi keq për kolegun tonë, për Sulejman Agën siç e thërriste Bepi, i cili i tha:

-Oh, nuk paske faj mor Sulë i dashtun. Paske tamam hall e po më vjen keq, ma beso. A bahet darsma pa mish?!

Te gjithë u munduem me i’ a lehtesue disi hallin që e kishte kapë për “fyti” mikun tonë. Skamllëk i madh ndër ata vite, ata mos ardhshin ma kurrë. Me sa sakrifica i bajshin darsmat prindët për fëmijtë e tyne për mos me u “koritë”! …E megjithatë, edhe në ato rethana na bajshim humor! E merrshim për “lojë”, siç thoshte Migjeni i madh te tregimi i tij “Urim për vjetin 37- të”

…Atë ditë na u prish humori…kur, papritmas u ngrit në kambë Nefail Piraniqi, i cili doli në mes të dhomës, si mullar, për të tërheqë vemendjen tonë. Nefaili, njihej për humorin e tij “serioz”! Ai nuk kuptohej në se fliste seriozisht apo me thumba. Nefaili iu drejtue Sulës, i cili kishte mbulue kryet me dy duer:

-Ndigjo Sulë Dibra…për nji dele në Dukagjin, me 2- 13 kile mish e 15- të kile lesh, unë qysh nesër ta siguroj.

Fillimisht të gjithë e besuem Nefailin sepse e dijshim që ai kishte qenë për nji vit e gjysë aksionist në Dukagjin, por…kur i thirrëm logjikës, e kuptuem “hilen” apo “humorin e zorshëm” të Nefailit. E si tha?! Nji dele me 2-13 kile mish e 15- të kile lesh?! A kishte burrë nane mos me qesh…përveç Sulës, i cili ishte i trullosun e i cili, mbasi gazi i ynë u fashit, tha:

-Po he mor burrë i dheut…he mor Nefail. Ani, s’ka gja edhe pse asht dele…për bukuri…veç mish me pasë. Sa të bajnë, mos më kurse. I kam paret.

Nefaili kishte mbetë si “m” në mes të dhomës. E dinte mirë se çka e priste. Nuk ishte hera e parë që bante “humor” të tillë. I pari iu versul Bepi:

-A të vjen marre mor…mor faqezi…mor magjyp, eee?” (Nefaili ishte paksa “esmer” në fytyrë)

Bepi iu lëshue prap:

-Shoku i jonë ka hall e ti don me ba humor! Ik mor shakllaban, ik se nuk të due fort.

Mandej morëm “zemër” na të tjerët, burra e gra, pleq e të rinj.

– Ik mor karagjoz, mor mullar…mor turithi’…

– Ik mor edespsyz, mor vagabond…mor kulim…

– Ik mor pizeveng, mor pusht, mor legen…

– Ik mor zemër- gur, ty t’rafte nji send…

Na tuj e “sha” e tuj e “shilue…e ai tuj u qeshë e tuj u shendue. Kishte ngritë duert përpjetë e iu drejtue Sulës:

-Ma ban hallall mor Sulë, por unë deshta me ta largue mendjen prej hallit që të ka ra.

Qeshi Sula, qeshëm edhe na e ma në fund Sula, qetë- qetë, i tha:

-Ti pse e ban nji rrugë deri në Dukagjin për hatrin tim mor Nefail, nuk kishe ba keq…ndoshta e gjen ndonji dele me ma pak lesh!

P.S. Miku  ynë e gjeti mishin e darsmës. U martue e u rehatue e, mbas dy- tre muejsh në Tiranë u pat transferue. /Publikuar në Facebook, redaktuar pjesërisht nga ShkodraWeb për të ruajtur origjinalitetin/