Do të startojnë ditën e martë përgatitjet e ekipit të Vllaznisë për ndeshjet e Kupave të Europës. Kështu është vendosur nga stafi teknik në bashkëpunim edhe me drejtuesit e klubit.
Në fakt ishte menduar që starti të bëhej pikërisht sot, por problemi i firmës me trajnerin Thomas Brdariç apo dhe i ndonjë lojtari tjetër, ka bërë që ky start të shtyhet me 24 orë. Seanca e pare do te zhvillohet neser ne oren 09.00
Stërvitja e kuqebluve për pak ditë pritet të zhvillohet në Shkodër e më pas do të spostohet diku jashtë Shqipërisë. Me shumë mundësi faza më intensive e përgatitjeve për “Conference League” do të zhvillohet në kampingun e Zllatiborit në Serbi.
Seanca e parë stërvitore pritet të drejtohet nga trajneri Thomas Brdariç i cili pritet të firmosë kontratën e re me Vllazninë. Por nëse trajneri mendohet të vazhdojë punën në krye të kuqebluve, tashmë mbetet për t’u parë se cilët do të jenë futbollistët që do të jenë në dispozicion të tij.
Prej ditësh po flitet për largimin e disa prej titullarëve të sezonit të kaluar, të cilët kanë marrë oferta joshëse nga ekipe të tjera. Po ashtu, pritet që të ketë edhe largime të disa lojtaëve të tjerë të cilët nuk kanë bindur dhe për këtë arsye nuk do të jenë më në planet e stafit teknik.