Po shkruaj disa rradhë, për të njëjtën temë. Pas një tjetër ngjarje të rëndë në qytetin tim. Aty ku kam lindur, po jetoj dhe kam vendosur të krijoj familjen e të rris djalin. 25 vite në gazetari janë të pamjaftueshme të më drejtojnë dorën e mendjen të shkruaj thjeshtë si një raportues ngjarjesh. Si rradhë herë, sot jam një nga mijëra qytetarët e Shkodrës, me ndjeshmëri të lartë si prind, familjar dhe aspak si gazetar.
Gjëja e parë që bëra ishte të sigurohesha se asnjë nga familjarët e mijë nuk ka qenë pranë vendit të ngjarjes. Pasi u qetësova për aq sa mundëson lajmi për një ngjarje të tillë, më erdhën në mend detajet e rënda nga ngjarja. Në fakt, nuk i mora nga kolegët gazetarë por nga njerëz që janë ndodhur rastësisht aty.
Një vajzë e re është tmerruar: kaq pranë ngjarjes ka qenë sa gjaku i viktimës dhe i të plagosurit i ka ngjyrosur rrobat, këpucet… Vetëm fati sot është treguar bujar me të. Tregtarët kanë lënë mallin dhe kanë nisur të ecin kuturu, pa një drejtim të caktuar duke shpresuar që plumbat të mos i arrijnë.
Jam i sigurtë se ngjaj patetik, përsëritës dhe ndoshta i frikësuar. Po, është e vërtetë. Sot ndjehem i frikësuar për jetën e çdo personi që jeton në Shkodër. Askush nuk mund të thotë se është i garantuar në këtë qytet. Ata që janë më shumë optimistë se duhet, mbase mund të përmendin frazën standarte “nuk të vret kush kot”. E përgjigja më vjen nga njerëzit që përmenda më sipër… Kush na tregon një rrugë, një rrugicë, një lokal ku nuk arrin plumbi i nisur edhe për dikë tjetër…? Askush!
Edhe unë personalisht, Shkodrën e kam krahasuar me Palermon në Itali për situatën e kriminalitetit. Edhe pse në fakt, masivisht atje ka patur një përballje mes grupeve rivale apo mafias me shtetin. Fatkeqësisht, sot Shkodra po ecën në drejtimin e frikshëm të një qyteti të pajetueshëm, sepse nuk dua ta pohoj “në dorën e krimit”.
Në vitin 1997, në profesionin e gazetarit sa herë hyja e dilja nga shtëpia, në sytë e prindërve lexoja ankth. Pas disa viteve, me vonesë, mora një shpjegim. “Sa herë hyje e dilje nga shtëpia, i luteshim Zotit të të ruante dhe të ktheheshe shëndosh”, ishte përgjigja. Situata, të paktën në atë që quhet “psikozë kolektive”, nuk është shumë më e mirë se sot. Ankthi për sigurinë e jetës por rritet me doza të shpejta. Jo vetëm nata, por edhe dita, jo vetëm zonat periferike por edhe qendra e qytetit po bëhet përherë e më e rrezikshme për të lëvizur. Në këmbë apo në makinë, me motor apo biçikletë, je njëlloj i rrezikuar.
“Hall të kesh para se bie pre e gjobëveënies, hall të mos kesh para se nuk arrin të jetosh”. Kjo ishte dilema e para disa kohëve kur diskutonim me miq për situatën e rendit, sidomos kur mësonim për ngjarje ku përfshiheshim bisnesmenë. Sot është një shkallë më keq. Nuk ka më siguri, i pasur apo i varfër qofsh!
Vetëm para pak orëve në Shkodër erdhi për një takim me policinë zëvendësministri fuqiplotë si ministër i Brendshëm Sandër Lleshi. Natyrisht, nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen e sotme. Ashtu siç nuk ka lidhje as shprehja e kryeministrit të vendit tim për grupet kriminale “hëngshin kokat e tyre”! Sepse në këtë vend, gjëja më me pak vlerë është jeta e njeriut! Fatkeqësisht, në Shkodër më shumë se askund tjetër! Ta dëshirosh Shkodrën nga larg apo të rrezikosh jetën duke e shijuar nga afër, kjo është dilema e 2018- ës! /Nga Blerti DELIJA/