Edi Rama rinis “mbjelljen” e psikozës së burgut, sepse e njeh mentalitetin e qytetarëve që qeveris…

Nëse Edi Rama do të hedh në gjyq për shpifje Lulzim Bashën, Sali Berishën e politikanë të këtij kalibri, kë do të padisin ministra, deputetë e zyrtarë vendorë? Nuk është e vështirë të kuptohet: Të gjithë ata që do ti akuzojnë përmes mediave apo rrjeteve sociale. E kush do ti akuzojë? Askush tjetër përveç atyre që mund të jenë të pakënaqur nga ata: Qytetarët, nga jugu në veri! Madje për si të barabartët e tij, Rama nuk planifikon burg, por: “Shpifja dënohet me burg në 25 vende të BE! Gjysmagjelat tanë të majmur nga xhepat e nga trutë,që kanë bërë karriera politike e mediatike duke sharë e akuzuar pa prova,s’meritojnë as 1 supë burgu! Ata thjesht do të paguajnë gjobën e ndotjes për çdo fëlliqësi që u jashtënxjerr goja.”. Këtë e ka pohuar vetë kryeministri përmes një shënimi në rrjete sociale. Më shqeto se kaq: Politikanëve me të cilët merrem unë, u dua paratë për Fondin e Edukimit, ne të tjerët që edhe nuk kemi, na pret burgu…

Psikozën e burgut Rama e ka mbjellë që në hapat e patë të qeverisjes së tij. Burg për energjinë elektrike, burg për ujin e pijshëm, burg për bisnesmenët, burg për të gjithë e për çdo gjë… Tani është rradha e Fjalës, sepse shpifja në vetvete është Fjalë…

Pak muaj pas zgjedhjeve të 2013-ës kryeministri nisi artikulimin e shpeshtë të fjalës burg. Pa iu dridhur qerpiku. Rezultati? Zgjedhjet e vitit 2015- të i stërfitoi, duke i lënë opozitës vetëm cerekun e bashkive të reja që lindën pas reformës territoriale. Rama nuk iu nda burgut përsëri, në të gjitha takimet e tij formale e jo, seriozisht e me shpoti, nuk iu nda burgut. Rezultati? Në zgjedhjet politike të 2017-ës masakroi skenën politike, duke marrë i vetëm timonin e qeverisjes së vendit edhe për 4 vite, pa nevojën e votave të LSI dhe askujt tjetër. Tani nisi artikulimi i burgut edhe për fjalën, qoftë edhe shpifje. Madje kujton standartet e BE-së, duke “harruar” se çfarë përfaqëson ai dhe si të barabartët t tij në politikën shqiptare të 28 viteve të fundit. Duke harruar se BE po na përplas derën në fytyrë tash 28 vjet edhe për shkak të klimës politike në vend, e mbarsus me konflikt edhe për shkak të shpifjeve që në vite, Rama e si të barabartët e tij lëshonin kundër rivalëve në pushtet e opozitë.

Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Edi Rama nuk e përmend rastësisht burgun në artikulimet e tij. Paralajmërimi i tij më i fundit për paketën antishpifje, nuk ndihmon direkt në shtetmëkëmbje, siç mund të aludohet për energjinë, ujin, evazionin, ndërtimet pa leje etj. Synimi është i qartë: Mbyllja e gojës jo vetëm e rivalëve politikë, por edhe qytetarëve të thjeshtë përmes detyrimit të zyrtarëve të opozitës për të atakuar në gjykatë çdo gjë që e konsiderojnë shpifje. Dhe për qytetarët, është e lehtë të hmbin përballjen në gjykatë. Sepse asnjë zyrtar nuk del në shesh duke marr para, duke favorizuar nepotizmin, duke dhënë tendera. Edhe po ti shohin me sy, para gjykatës nuk mund ti vertetojnë dot. Sidomos me një sistem gjyqësor të prirur ti besojë të fortit, të pushtetshmit, politikanit, pasanikut. Përmes kësaj nisme, do ti mbyllet goja edhe “bilbilave” që Rama i ftoi të denoncojnë çdo shkelje ligjore në administratë. Spiunët e administratës, edhe ata rrezikojnë të bien dëshmorë të paketës antishpifje. Ja pra, si padashje Rama po i bie ndesh edhe vetes…

Rama e njeh shumë mirë mentalitetin e popullit që qeveris pa ndërprerje prej 20 vitesh, nga karrikja e ministrit në 1998, atë të Bashkisë Tiranë nga 2000 e deri sot si kryeministër. Jemi popull frikacak, sidomos kur përmendet burgu… Jemi popull që nuk e kemi me shumë dëshirë të zbatojmë e respektojmë ligjin… Jemi popull që nuk ka interesojnë hallet tona personale, por si të shtojmë hallet e fqinjit… E në fund, çdo popull meriton qeverinë që ka në krye! /Nga Blerti DELIJA/